Flag of Kosovo in front of a clear blue sky

89 të qytetarë nga vende të tjera kanë marrë viza pune në Kosovë për gjatë tetë muajve të para të këtij viti. Ndërkaq gjatë vitit 2021, viza pune në Kosovë kanë marrë 95 të huaj.

Marketing

Këto të dhëna i kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Por Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ka thënë se ky numër është shumë më i lartë – pra punojnë ilegalisht.

“Ky fenomen është para katër ose pesë viteve dhe është në rritje. Por është numër më i lartë”, i ka thënë Azemi Gazetës Express.

Më 30 qershor të këtij viti, Inspektorati  i Punës i kishte kapur tetë shtetas turq duke punuar “në të zezën” në Kosovë.

Azemi beson që në Kosovë ka edhe shumë të tillë, por pohon se dhënia e lejeve për viza pune e dëmton pozicionin e punëtorëve vendës.

“Punëtorët nga vendet e tjera do të dëmtojnë pozicionin e punëtorëve aktualë”, ka thënë Azemi. “Punëtorët e huaj janë kryesisht të pakualifikuar e kjo nënkupton që do të ketë problem për punëtorët e pakualifikuar vendas”.

Ai tutje shton se ata paguhen me paga më të ulëta si dhe nuk kryhen obligimet ligjore ndaj tyre sipas Ligjit të Punës.

As Kosova s’i shpëton procesit të globalizmit.

Labinot Kunushevci, sociolog, i ka thënë Gazetës Express se ky është një fenomen i globalizmit, rrjedhimisht e pason edhe diversitetin kulturor.

Sipas tij, globalizmi i ka thyer barrierat ekonomike dhe kulturore – dhe Kosova “s’mund të shpëtojë dot prej tyre”.

“Ardhja e migrantëve të huaj për të punuar në Kosovë tregon për një fenomen ekonomik, që nuk mund të shpjegohet pa këndvështrim kulturor. Globalizimi ekonomik ka thyer disa barriera kulturore. Shfrytëzimi i tyre si fuqi punëtore e lirë është një përfitim i punëdhënësve, sidomos atyre oligarkë të cilët nuk kanë treguar një jokorrektësi me punëtorët shqiptarë. Akomodimi i tyre do të ndikojë në tregun e punës, në integrimin dhe balancimin e fuqisë punëtore”, ka thënë Kunushevci.

Sociologu përmendi edhe sfidat që këta punëtorë do t’i kenë në çështjet e ambientimit.

“Si sfida do të jenë përshtatja kulturore pasi që akulturimi do të jetë një nga sfidat. Në anën tjetër, aktiviteti ekonomik do të mund t’i thyejë paragjykimet dhe elementet raciste të etabluara në etno-psikogjik”, ka deklaruar ai.

Treg pa punëtorë

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka kërkuar ngritjen e pagës minimale deri në 400 euro. Qeveria e Kosovës e ka si synim 250 sosh.

Rrjedhimisht, kjo sindikatë thotë se shumë punëtorë “s’duan të punojnë për shkak të pagave”, duke shtuar se ‘disa edhe largohen nga Kosova”.

Edhe odat ekonomike shohin se ka mungesë të punëtorëve, sidomos në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve.

Nëpër Prishtinë, por edhe qytete të tjera hasësh në konkurse kryesisht të bizneseve të vogla “Kërkojmë Punëtorë”. S’ka!

Por ka punëtorë për sektorin publik. Në konkursin e fundit për pozita administrative në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë aplikuar mbi 3 mijë qytetarë për 50 pozita.

Gjendja në sektorin privat ka qenë pjesë gjithmonë pjesë e diskutimeve për shkak të kushteve më të pafavorshme krahasuar me sektorin publik.

Marketing