Diaspora deri më tani ka pasur sfidë të madhe votimin në zgjedhjet që janë mbajtur në Kosovë, duke votuar më postë apo edhe procedura tjera aspak të lehta.

Marketing

Aktualisht, Kosova ka bërë një përparim të dukshëm në reformën zgjedhore sidomos për diasporen derisa kjo vjen pas miratimit draftit të reformës zgjedhore nga Komisioni Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Diaspora tashmë do të mund të votoj në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës që do modikfikohen si qendra votimi gjatë zgjedhjeve.

Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur miratimin e draftit të reformës zgjedhore nga Komisioni Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Kurti ka shtuar se me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet do të ketë shumë lehtësime për votimin e diasporës, shkruan Albora.ch.

Sipas tij, drafti i të cilit u tha se do të shkojë shpejt për opinione në Qeveri, do t’i shndërrojë ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në qendra votimi gjatë zgjedhjeve.

“Javën e kaluar Komisioni ad hoc për reformë zgjedhore, i themeluar nga Kuvendi i Republikës përmbylli punën e tij duke hartuar draftin e ri të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Këtë draft së shpejti do ta kemi për trajtim edhe në Qeveri, për të dhënë opinionin dhe komentet tona. Megjithatë, sot para jush dua ta shpalos një dimension të veçantë të tij, e që ka të bëjë me votimin e mërgatës në zgjedhjet në Kosovë”.

“Në esencë, ky draft ligj i jep fund një padrejtësi të gjatë ndaj mërgatës, kur vjen puna te votimi dhe përmbush përfundimisht edhe një zotim tonin ndaj mërgatës. Ai parasheh që mërgata të ketë lehtësim real të shprehjes së vullnetit të tyre politik, teksa ambasadat dhe konsullatat e Republikës gjatë zgjedhjeve do të shndërrohen në qendra të votimit”.

“Votuesit nga mërgata në të kaluarën përgjithësisht janë përballur me dy sfida. Së pari, regjistrimi i tyre ka përfshirë procedura të komplikuara e burokraci. Së dyti, afatet për dërgimin e fletëvotimeve me postë kanë qenë të shkurta, krahas kostos së lartë financiare. Sipas draft ligjit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bashkatdhetarët do të evidentohen si votues në mënyrë elektronike”.

“Regjistrimi i tyre do të jetë shumë më i lehtë dhe do të bëhet Online, ngjashëm si në shembullin e shërbimeve, të cilat kryhen sot në platformën e-Kosova. Ndërsa, për hedhjen e fletëvotimeve, ata do të kenë tri opsione: I pari, do të jetë votimi fizikisht një ditë para ditës së zgjedhjeve në njërën nga ambasadat apo konsullatat e Republikës së Kosovës”.

“Opsioni i dytë do të jetë dërgimi i fletëvotimeve me postë brenda vendit ku jetojnë, në adresën që e cakton Ambasada e Republikës së Kosovës. Me këtë, ambasadat do të shndërrohen në qendra të grumbullimit të fletëvotimeve. Kjo do t’i kursejë bashkatdhetarëve tanë buxhet dhe kohë dhe do të mundësojë që fletëvotimet të arrijnë shpejt e sigurt; si dhe Opsioni i tretë mbetet mënyra e vjetër e votimit, duke i dërguar fletëvotimet me postë në adresë të Komisionit Qendror Zgjedhor për vendet ku Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë ende”.

“Mërgata jonë përbën rreth 1/3 të popullsisë së tërësishme të vendit, të cilët të lidhur ngushtë me vendlindjen dhe me një kontribut të madh ekonomik e politik si në të kaluarën, ashtu edhe tani, meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kosovë. Për shkak të barrierave dhe procedurave burokratike, interesimi i tyre për vendlindje ka qenë gjithmonë më i lartë sesa pjesëmarrja në procese zgjedhore. Me ndryshimet sipas draft ligjit të ri, pjesëmarrja në zgjedhje do t’i përgjigjet interesimit dhe vullnetit për qenë pjesë e vendimmarrjes.  Uroj që ky projektligj të kalojë sa më parë të gjitha procedurat e parapara deri në miratimin në Kuvend”.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, do të ndërmarrim të gjitha veprimet  e nevojshme për të përgatitur e përshtatur infrastrukturën në ambasada e në konsullata edhe për këtë shërbim ndaj bashkatdhetarëve tonë”.

Ndryshe, diaspora shqiptare nepër vende të ndryshme të Evropës është ankuar gjithemonë për procedurat aspak të lehta duke kërkuar gjithemonë votimin në ambasada.

Procesi i votimit, siç ata kishin kërkuar nder vite, do të duhej të bëhej më i lehtë për diasporën, rrjedhimisht qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës t’u mundësohet të votojnë nëpër ambasadat e Kosovës që gjenden në vendet përkatëse. Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të shmangeshin procedurat e stërzgjatura që ekzistojnë aktualisht dhe do të rritej numri i votuesve jashtë Kosovës.

Albora.ch

Marketing