Disa dhjetëra persona kanë protestuar, këtë të martë, para ambasadës së Serbisë në Tiranë. Ata kanë përshkruar rrugën “Ukraina e Lirë” deri para godinës së ambasadës serbe duke valëvitur flamuj kombëtarë e duke kënduar himnin kombëtar e këngë të tjera patriotike.

Marketing

Protestuesit gjithashtu kanë përdorur edhe thirrje “Kosova është Shqipëri”, si dhe kanë shprehur kundërshtimin e tyre për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke thënë se në ato komuna ka edhe popullësi të kombësive të tjera, shkruan Albora.ch

Një protestë e ngjashme u mbajt edhe më 16 dhjetor, në ditën kur Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 26 vite burg Salih Mustafën, një nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte dhe të mbyllur në dhomat e paraburgimit në Hagë janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Protesta vjen në një kohë kur tensionet në Kosovë janë të larta, për shkak të vendosjes së barrikadave në veri të vendit. Ndërkohë, Serbia ka vendosur në gatishmëri të plotë ushtrinë dhe policinë, si dhe ka pozicionuar trupa në kufi me Kosovën.

Marketing