Projeksionet e televizioneve franceze tregojnë se Emmanuel Macron ka fituar mandatin e dytë në zgjedhjet presidenciale të Francës me 58 për qind të votave.

Marketing

Francezët kanë votuar më 24 prill për të zgjedhur presidentin e tyre për pesë vjetët e ardhshëm.

Macron ka garuar kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Ajo besohet se ka fituar 42 për qind të votave.

Projeksionet e përgatitura nga mediat franceze janë kombinim i rezultateve reale dhe atyre të sondazheve, andaj konsiderohen tejet të besueshme.

Momentet e gëzimit janë parë menjëherë në ekranet e mëdha afër Kullës Eiffel, ku janë mbledhur mbështetësit e Macronit, të cilët janë parë me flamuj francezë dhe ata të Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, mbështetësit e Le Penit janë dëgjuar duke bërtitur me zemërim teksa kanë marrë vesh lajmin.

Le Pen, mbështetësve: Edhe ky rezultat përbën fitore

Liderja e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen u është drejtuar menjëherë mbështetësve që kanë thënë me zë të lartë emrin e saj.

Ajo ka thënë se rezultatet – që parashohin humbjen për të – përbëjnë fitore për partinë e saj.

Ajo ka thënë se e respekton rezultatin e zgjedhjeve.

Le Pen ka shtuar se do të vazhdojë të luftojë në politikën franceze, ndonëse në të kaluarën ka thënë se mund ta lë politikën nëse humb garën.

Ajo ka falënderuar njerëzit që e kanë votuar dhe është larguar nga foltorja.

Liderët evropianë urojnë Macronin

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mirëpritur rezultatin dhe ka uruar Macronin për parashikimet për fitore.

Përmes një postimi në Twitter, Michel ka thënë se Bashkimit Evropian i duhet një Francë e përkushtuar ndaj projektit të bllokut evropian në një kohë turbulente në kontinent.

Foto: Screenshot

Marketing