Sheshi “Skënderbej” është mbushur mbrëmë (e enjte) me politikanë, zyrtarë, diplomatë e qytetarë që festuan  hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve me SHBA.

Marketing

Në skenën e dizajnuar me yjet e flamurit europian, teksa në sfond statuja e heroit kombëtar Skënderbeu, po përformojnë zërat më të dashur të muzikës shqiptare: Flori Mumajesi, Alban Skënderaj, Anxhela Peristeri, Elton Deda, Soni Malaj, Ylli Limani, Fifi, Eneida Tarifa, Ronela Hajati dhe Xhensila Myrtezaj.

Interpretimet e tyre alternoheshin me mesazhet e personazheve nga politika shqiptare, europiane dhe amerikane.

Në radhën e parë të qytetarëve që shijojnë këtë koncert gjigant ishin presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri Yuri Kim, ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjknuri, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe diplomatë të tjerë.

16 vite pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Shqipëria çeli në 19 korrik negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Tani, hapi i parë në procesin e bisedimeve pas Konferencës Ndërqeveritare do të pasohet nga puna mes Komisionit dhe ekipeve negociuese për shqyrtimin e akteve europiane që do të bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet e marrëveshjet europiane.

Ulja në tryezë për bisedimet konkrete kalon përmes procedurave të tjera, të cila zgjasin në kohë. Në shtator pritet që Shqipërisë t’i kërkohet të japë shpjegime se ku qëndron ajo në raport me çështjet që përmban grup-kapitulli i parë që lidhet me shtetin e së drejtës. Sipas metodologjisë së re, bisedimet nuk zhvillohen më mbi bazë kapitujsh të veçantë, por mbi 6 grup-kapitujsh, ku pa u hapur ai për shtetin ligjor, nuk mund të hapet asnjë tjetër./tch/

Marketing