Policia Kufitare e Vlorës ka shpëtuar dy familje nga Kosova që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues. Në total ishin pesë shtetas të Kosovës, në mesin e tyre edhe një fëmijë 2-vjeç. Sipas policisë, kosovarët ishin në rrezik mbytjeje, por tani ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Marketing

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Kufitare Vlorë ka marrë njoftim për 2 familje kosovare që ishin duke lundruar në det, me një motoskaf, në afërsi të Gadishullit të Karaburunit, Vlorë, dhe e kishin të pamundur të ktheheshin në breg, pasi mjeti kishte pësuar defekt.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, për t’iu ardhur në ndihmë 2 familjeve që ishin në rrezik mbytjeje. Shërbimet e Policisë i kanë nxjerrë në breg, me mjetet e Policisë Kufitare, 5 shtetasit kosovarë, midis tyre dhe një fëmijë 2 vjeç, të cilët aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

“Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurtë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të denoncojnë në 112📞 dhe në Komisariatin Dixhital📲 çdo rast të paligjshmërisë”, përfundon njoftimi.

Marketing