Këtu keni një përmbledhje të zhvillimeve të fundit lidhur me luftën në Ukrainë:

Marketing

Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të takohet të premten me refugjatë ukrainas në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës. Më shumë se dy milionë ukrainas i kanë ikur luftës, duke marrë rrugë në Poloni.

Një muaj prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka thënë kombeve evropiane se janë vonuar ndaj kërcënimeve të Moskës, duke sugjeruar për sanksione që ndoshta do të mund të parandalonin luftën.

Ai u ka bërë thirrje atyre “të mos vonohen” në miratimin e kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në BE.

Fjalimi i Zelenskyt ka ardhur pas një dite intensive me samite urgjente që janë mbajtur të enjten në Bruksel mes kombeve të Perëndimit, për të dënuar veprimet e Rusisë.

Biden ka thënë se NATO-ja “do të përgjigjet” nëse Rusia përdor armë kimike në Ukrainë, mirëpo nuk ka treguar hollësi. Perëndimi ka paralajmëruar kundër ndonjë skenari të tillë, teksa lufta hyn në javën e pestë.

NATO-ja ka konfirmuar se do të dërgojë 40,000 trupa në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani – vendet fqinje të Ukrainës.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se Ukraina mund ta fitojë luftën, mirëpo presidenti rus, Vladimir Putin nuk duket i interesuar në arritje të paqes.

Në fushëbetejë, zyrtarët ukrainas kanë pretenduar të enjten se kanë shkatërruar një anije ruse në portin e qytetit të pushtuar Berdjansk./albora.ch/

Marketing