Aktivisti dhe themeluesi i projektit “DearSrebrenica”, Georgio Konstandi, ka arritur që të anulojë shfaqjen nëpër disa qytete të Evropës  të një filmi me autor Boris Malagurskin, një propagandist rus dhe ish-bashkëpunëtor i “Sputnik” dhe “Russia Today”.

Marketing

Ky film i propagandistit rus, Boris Malagurski, titullohet “Republika Srpska: The Struggle for Freedom” dhe sipas videos përmbledhëse, të filmit që ka dalë në publik, Konstandi thotë se tregohet qartë qëndrimi i  Malagurskit që mohon dhe relativizon krimet gjenocidale të autoriteteve të “Republika Srpskas” në vitet e 90-të në Bosnje e Hercegovinë.

Lidhur me këtë fushatë kundër propagandistit rus për Gazetën Express ka folur vetë Konstandi duke thënë se në film përshkruhen krimet e kryera nga “Republika Srpska” si një “luftë për liri” dhe “luftë kundër skllavërisë”.

Konstandi thotë se përmbajtja e filmit duhet kuptuar bazuar edhe në qëndrimet e mëhershme të autorit, i cili derisa drejtonte një emision të Sputnik, përkujtimeve të Srebrenicës iu është referuar si “festë e Srebrenicës”

 “Traileri i përshkruan keq krimet e kryera nga Republika Srpska si një “luftë për liri” dhe një luftë kundër “skllavërisë”. Kjo duhet kuptuar brenda kontekstit të komenteve të mëparshme publike të Boris Malagurskit mbi gjenocidin në Srebrenicë. Në vitin 2017, ndërsa udhëhiqte një episod në rrjetin Serbi të Sputnik, Malagurski iu referua përkujtimeve në Srebrenicë si një “festë e Srebrenicës” dhe deklaroi si vijon:

“Srebrenica është cilësuar si simbol i krimeve ekskluzivisht serbe. Nëse përmendet se edhe serbët kanë vuajtur atje, automatikisht etiketohesh si relativist””, ka thënë Konstandi për Express.

Konstandi ka treguar se e kanë filluar kampanjën e tyre me një letër drejtuar autoriteve komunlae të Austrisë duke iu bërë thirrje atyre që të anulojnë shfaqjen e filmit si një respect të Rezolutës së korrikut që nderon viktimat e Srebrenicës.

 “Ne e zgjeruam fushatën tonë për të synuar çdo kinema të planifikuar për të shfaqur filmin në Evropë. Ne kemi kontaktuar me diplomatë, këshilltarë, zyrtarë, aktivistë dhe gazetarë për të grumbulluar presionin mbi autoritetet për ta tërhequr filmin. Ne kemi krijuar gjithashtu shabllone emaili për diasporën boshnjake për t’i përdorur në secilin vend përkatës për t’i bërë presion kinemave dhe kryebashkiakëve që të de-platformojnë filmin”, ka shtuar Konstandi tutje

Aktivisti dhe themeluesi i nismës “E dashur Srebrenicë” ka treguar se për pesë ditë kanë arritur që të anulojnë shfaqjen e një filmi të tillë në Austri, Zvicër, Gjermani, Holandë dhe Belgjikë dhe se kanë mbetur edhe dy kinema ku po bëjnë përpjekje për ta anuluar, një në Lussanne dhe tjetra në Vicenza të Italisë.

“Ne do të jemi të pamëshirshëm në fushatën tonë për të anuluar edhe këto shfaqje. Duke vepruar kështu, ne do të kemi arritur t’i dërgojmë një mesazh të qartë Malagurskit dhe të gjithë relativistëve të gjenocidit: nuk jeni të mirëpritur në hapësirat kryesore”, ka thënë për Express Georgio Konstandi themeluesi i Projektit “Dear Srebrenica”, një projekt që është duke krijuar burim edukativ sa i përket gjenocidit në Srebrenicë për shkollat dhe universitetet e Britanisë së Madhe.

Marketing