Komisioni i OKB-së për klimën arrin në përfundimin se ndryshimet klimatike po ndjehen plotësisht dhe se njerëzimi nuk është aspak gati t’i përballojë.

Marketing

Në raportin e hartuar nga 270 shkencëtarë nga 67 vende të ndryshme thuhet se qeveritë duhet që jo vetëm të ulin në mënyrë drastike nivelin e gazeve ndotëse për të parandaluar ngrohjen globale, por se ato mund të punojnë që tani për të kufizuar pasojat tek popullsia, duke iu përshtatur jetesës në një botë më të ngrohtë.

“Ndryshimet klimatike janë tashmë mes nesh dhe njerëzimi nuk është aspak gati”, paralajmëron një komision i OKB-së për klimën në një raport të rëndësishëm të botuar të hënën.

Tutje, theksohet se gjysma e popullsisë së botës është e ekspozuar ndaj efekteve të rrezikshme në rritje të klimës, raporti bën thirrje për veprim drastik në përmasa madhore. Një e treta, deri në gjysmën e planetit, duhet të konservohet dhe të mbrohet për të siguruar furnizimin në të ardhmen me ushqim dhe ujë të pijshëm.

“Ekziston ende një mundësi por që po tkurret me shpejtësi, për të siguruar një të ardhme të jetueshme për planetin. Duhet të ngrihemi në nivelin e kësaj sfide. Kjo është dekada vendimtare për veprimin klimatik”, thotë bashkëkryetari i grupit të punës Hans-Otto Portner.

Raporti është dokumenti i fundit i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ku paraqiten gjetjet e përbashkëta në rang global për shkencën klimatike.
Raporti në fjalë përqëndrohet tek ndikimi mbi natyrën dhe shoqëritë dhe se çfarë mund të bëjnë shoqëritë për t’u përshtatur.

Pothuajse në të gjitha drejtimet, raporti e bën të qartë se ndryshimi klimatik po ndikon tek bota më shpejt se ç’kishin pritur shkencëtarët. Ndërkohë, vendet nuk kanë arritur të kufizojnë çlirimin e gazrave karbonikë, të cilat vazhdojnë të rriten së bashku me temperaturat globale./albora.ch/

Marketing