Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe zëvëndëskryetari, Agron Gjekmarkaj u pritën në Audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Marketing

Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, vuri në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe theksoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre. Duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, Ati i Shenjtë theksoi se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi e falënderoi Atin e Shenjtë për audiencën, e njohu me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane të popullin shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve për përkushtimin e Atit të Shenjtë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.

“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri.”, u shpreh Nikolla.

Nikolla vlerësoi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri.

Njëkohësisht ajo shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e madh të besimtarëve dhe Kishës Katolike për ndihmën ndaj qytetarëve për përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë si edhe për kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të dashurisë, solidaritetit e humanizmit.

Besmitarët katolikë dhe institucionet e Shqipërisë mirëpritën emërimin e Monsignor Arjan Dodaj si Kryeipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

Në përfundim të takimit, Papa Françesku i përcolli Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik.

Pas audiencës me Papën, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe Zëvëndëskryetari, Agron Gjekmarkaj, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë takimit u vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe u shpreh dëshira për forcimin e bashkëpunimit.

Kryetarja Nikolla e falënderoi sekretarin e Shtetit Parolin për kontributin që jep Kisha Katolike, përmes institucioneve të saj kishtare, arsimore e shëndetësore në Shqipëri.

Sekretari i Shtetit Parolin vlerësoi bashkëpunimin e Nikollës dhe Gjekmarkajt dhe vuri në dukje se, pavarësisht bindjeve e qëndrimeve politike, bashkëpunimi parlamentar e politik duhet të mbështetet në vlerat e përbashkëta të humanizmit e solidaritetit.

Nikolla dhe Parolin diskutuan edhe për zhvillimet në Shqipëri, situatën pas pandemisë, avancimin e procesit të integrimit evropian, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe ndikimin në Shqipëri e rajon të luftës në Ukrainë./tvklan

Marketing