Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e dialogut me mërgatën, kryeministri Albin Kurti, ka vizituar Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas, ku ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në këtë shtet.

Marketing

Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e madh nga mërgata e Amerikës për çështjen e Kosovës si dhe rolin vendimtar në zhvillimet historike për vendin tonë.

Duke theksuar zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar bashkë për të mirën e përbashkët, ai tha se “në qeverisjen tonë, mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”.

“Vëmendja e veçantë e Qeverisë për mërgatën është reflektuar edhe në programin qeverisës”, tha kryeministri, ndërsa përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, strategji të re për diasporën, projektligj të ri.

Sipas komunikatës për media të Kryeministrisë, Kurti ka theksuar se nëpërmjet nismës së dialogut me mërgatën synohet zhvillimi i partneriteteve me mërgatën dhe thellimi i bashkëpunimit të tyre me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit, investimeve dhe inovacionit.

Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka interesim për të krijuar partneritet të ngushtë me mërgatën, dhe se mirëpret të gjithë bashkatdhetarët tonë, ndërmarrësit nga mërgata, bashkë me partnerët ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë.

Marketing