Boris Johnson po përpiqet të qëndrojë në pushtet pavarësisht valës së dorëheqjeve nga radhët e qeverisë së tij.

Marketing

Ministri i ri Nadhim Zahawi ka bërë thirrje për unitet pasi paraardhësi i tij, ministri i Shëndetësisë dhe sekretarë të tjerë dhanë dorëheqjen.

Por kryeministri është tronditur nga 6 dorëheqje të tjera që e çojnë numrin e të larguarve në ditët e fundit në 16.

“Është pikërisht në kohë të vështira, kur vendi përballet me presion ekonomik, me probleme buxhetore dhe me luftën më të madhe në Evropë në 80 vitet e fundit që qeveria duhet të vazhdojë punën dhe të mos e braktisë atë. Ndaj ne duhet të vazhdojmë me punën tonë dhe të fokusohemi tek gjërat që kanë rëndësi për qytetarët e vendit tonë”, u shpreh Johnson, transmeton Euronews.al.

Ndërsa lideri i laburistëve, Keir Starmer e cilësoi hemorragjinë e dorëheqjeve si “arratinë e minjve nga anija që po mbytet”.

“Ishte e njëjta situatë kur u abuzua me paratë e taksapaguesve dhe ishte e njëjta situatë kur ai dhe miqtë e tij festonin gjatë bllokadës. Kushdo që po jep dorëheqjen tani, pasi i mbrojti këto ngjarje, nuk i ka mbetur pikë integriteti. A nuk është ky rasti i minjve që ia mbathin nga anija që mbytet?”, tha Keir Starmer, lider i Partisë Laburiste.

Në Parlamentin britanik janë shtuar thirrjet që rregullat e komisionit të konservatorëve të vitit 1922 të ndryshojnë, në mënyrë që ndaj Johnson të mbahet një tjetër votëbesim.

Foto: Arkiv

Marketing