Danimarka u bë të martën vendi i parë i Bashkimit Evropian që hoqi të gjitha kufizimet e saj të Covid, pavarësisht numrit rekord të rasteve, duke u mbështetur në shkallën e lartë të vaksinimit për të përballuar variantin më të butë Omicron.

Marketing

Pas përpjekjes së parë për të hequr të gjitha kufizimet midis shtatorit dhe nëntorit, vendi skandinav do të heqë detyrimin për të mbajtur maskat, çertifikatën shëndetësore dhe orët e kufizuara për hapjen e bareve dhe restoranteve.

Ndërsa të mërkurën, qeveria zvicerane ka vendosur të heqë punën e detyrueshme nga shtëpia dhe rregullat e karantinës, për të parandaluar një mbingarkesë të sistemit shëndetësor për shkak të pandemisë COVID-19.

Masat e tjera do të mbeten në fuqi, veçanërisht kërkesa për të shkuar në izolim për pesë ditë, në rast të një infeksioni me COVID.

Qeveria njoftoi të mërkurën gjithashtu plane për të hequr kufijtë e tjerë, pas konsultimeve me 26 kantonet, punëdhënësit, sindikatat dhe komitetet parlamentare.

“Ne kemi besim se spitalet mund të përballen me situatën, pavarësisht numrit të lartë të vazhdueshëm të infeksioneve të reja”, ka thënë të mërkurën ministri i Brendshëm, Alain Berset.

Po ashtu, Franca është vendi tjetër evropian që do të heqë kufizimet. Nga e mërkura, maskat nuk do të jenë më të obliguara në ambientet e jashtme në vend, ndërsa të punuarit në shtëpi tani mbetet vetëm një rekomandim.

Stadiumet dhe vendet kulturore nuk do të kenë më kapacitete të kufizuara personash. Klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllura deri në një vendim tjetër më 16 shkurt. Megjithatë autoritetet franceze thanë se do të jenë vigjilentë nëse rastet rriten.

Edhe Austria planifikon të lirojë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në shkurt, ka njoftuar qeveria.

Nga 5 shkurti restorantet do të lejohen të jenë të hapura deri në mesnatë, ka thënë kancelari Karl Nehammer.

Për më tepër, rregullat që ndalojnë në mënyrë efektive njerëzit e pavaksinuar nga dyqanet dhe restorantet do të hiqen gradualisht. Duke filluar nga 12 shkurti, dëshmia e vaksinimit ose e shërimit nuk do të kërkohet më për të hyrë në dyqane. Një javë më vonë, më 19 shkurt, hyrja në restorante do të lejohet për të gjithë ata që mund të provojnë vaksinimin, shërimin ose testin negativ të coronavirusit.

Nehammer tha se kufizimet për të vaksinuarit që kanë qenë në fuqi nga nëntori, do të përfundojnë të hënën, raporton AP.


Italia së shpejti do të bëjë të ditur lehtësimin e masave COVID-19, ka bërë të ditur të mërkurën kryeministri Mario Draghi, pasi një rritje e rasteve të nxitura nga varianti shumë ngjitës Omicron, filloi të ngadalësohej.

Shumë kufizime, përfshirë ato në transport dhe restorante, tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, ndërsa kufizime të ashpra mbeten në fuqi për ata që nuk janë vaksinuar. Ndërkohë, mbajtja e maskës është e detyrueshme vetëm jashtë.

Poashtu edhe Gjermania po përgatitet t’i japë fund kufizimeve të COVID-19.

Ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann në një intervistë për gazetën ”Rheinische Post” deklaroi se heqja e kufizimeve do të varet vetëm nëse vendi nuk do të përballet me variante të reja të koronavirusit që mund të ndryshojnë tërësisht situatën./albora.ch/

Marketing