Pavarësisht se ky vend krenohet me një ndër infrastrukturat më të mira të çiklizmit në botë, ai dallohet gjithashtu në mbarë botën për shkak të faktit që ka disa ndër rrugët më të mira edhe për automjetet.

Marketing

Holanda zuri pozicionin më të lartë nga të gjitha vendet e Evropës në Raportin Global të Konkurrueshmërisë 2019 të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, studimi i fundit i bërë për cilësinë e rrugëve përpara goditjes së pandemisë COVID-19.

Rreth 12,987 drejtues biznesesh nga 139 ekonomi të ndryshme në mbarë botën u anketuan lidhur me cilësinë, përhapjen dhe gjendjen e rrugëve në vendet e tyre.

Të anketuarit duhej të vlerësonin infrastrukturën rrugore të vendeve të tyre në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 ishte “jashtëzakonisht keq” dhe ndër më të këqijat në botë, dhe 7 ishte “jashtëzakonisht mirë” dhe ndër më të mirat në të gjithë botën, transmeton Monitor.al.

Në Evropë, sondazhi zbuloi se evropianët perëndimorë kanë – ose mendojnë se kanë – infrastrukturën më të mirë rrugore në të gjithë kontinentin.

Evropianët lindorë, nga ana tjetër, kanë një pamje të përgjithshme më të zymtë për sa i përket cilësisë së rrugëve në vendet e tyre.

Holanda (6.4) zuri vendin e parë për cilësinë e rrugëve në Evropë dhe u tejkalua vetëm nga Singapori (6.5) në rang global.

Ajo ndiqet nga Zvicra (6.3), e cila është gjithashtu e treta në botë, Austria (6.0), Portugalia (6), Spanja (5.7) dhe Kroacia (5.6).

Në nivel global, vendi i katërt dhe i pestë për cilësinë më të mirë të infrastrukturës rrugore shkuan për Hong Kongun (6.1) dhe Japoninë (6.1).

Pesëshja e fundit në listën e Evropës përbëhet nga Malta (3.3), e 106-ta në listën globale me 141 vende, Ukraina (3.0) në vendin e 114-të, Rumania (3.0) në vendin e 119-të, Bosnje dhe Hercegovina (2.8) në vendin e 121-të, ndërsa vendi i fundit zihet nga Moldavia (2.6), e renditur e 127-ta.

Rrugët më të këqija në botë, sipas drejtuesve të bizneseve të anketuar nga Forumi Ekonomik Botëror, ndodhen në Afrikë, në Karaibe dhe në Lindjen e Mesme. Konkretisht, ato ndodhen në Çad (1.9), në Mauritani (2.0), në Madagaskar (2.0), në Jemen (2.1), në Haiti (2.1) dhe në Republikën Demokratike të Kongos (2.1).

Marketing