Nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk tregojnë se çfarë do të ndodhë me qindra mjekë, infermierë dhe staf tjetër shëndetësor, që janë punësuar në spitalet e Kosovës për të plotësuar nevojat e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit.

Marketing

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për angazhimin e stafit shtesë – prej 1,286 vetash – nga gjysma e vitit të kaluar.

Këta punonjës kanë filluar punën në periudha të ndryshme, ndërsa kontrata që u është lëshuar, ka pasur afat gjashtëmujor ose tremujor, me mundësi vazhdimi për tre muajt e ardhshëm.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë informacione se sa është numri i punonjësve të cilëve u ka skaduar kontrata dhe sa vazhdojnë të mbeten në punë.

Në një përgjigje me shkrim, ajo ka thënë se vendimi për vazhdimin e kontratave do të merret “varësisht nga gjendja pandemike në vend”.

Paga bazë e një infermieri në Kosovë është rreth 400 euro në muaj.Personeli shëndetësor i Kosovës përbëhet prej më shumë se 14,000 vetash.

Largimi i stafit mjekësor nga Kosova, kryesisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian, është një problematikë që e përcjell Kosovën me vjet.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova në periudhën 2018-2021. Ndërsa, në gati tre muajt e parë të këtij viti, institucionet shëndetësore të Kosovës i kanë braktisur 59 mjekë. Të larguarit ankohen kryesisht për kushtet e punës, përfshirë pagat. Disa, me gjithë aftësimin profesional, nuk arrijnë të gjejnë punë të qëndrueshme në Kosovë./albora.ch/

Marketing