Ministria e Punëve të Jashtme të Francës u është përgjigjur pyetjeve lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, duke konfirmuar se një çështje e tillë do të trajtohet në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor.

Marketing

MPJ franceze në një përgjigje që e ka publikuar në faqen zyrtare të saj, ka thënë se takimi i 23 qershorit do të jetë mundësi për të diskutuar tema të rëndësishme.

“Pavarësisht rekomandimeve të Komisionit Evropian, kosovarët nuk kanë qasje në vizën Shengen. Sipas Prishtinës, Franca është një nga vendet që po e ngadalëson këtë proces. Pse është ajo? A do të trajtohet kjo temë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor?”, ka qenë pyetja drejtuar MPJ-së franceze.

“Takimi i 23 qershorit i liderëve nga Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi për të diskutuar mundësinë që vendet në rajon të përmbushin perspektivën e tyre evropiane, ndër temat e tjera”, thuhet në këtë përgjigje.

Mes tjerash, Franca ka thënë sa i përket heqjes së vizave për Kosovën, kushtet në lidhje me këtë duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit që është miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në afat të gjatë”.

Katër vjet më parë, Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi u votua edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Marketing