Mjafton të përmendësh disa këngë nostalgjike si “Do të doja”, “A më kujton”, “Biondina ime” dhe e kupton se për kë bëhet fjalë.

Marketing

Këngëtari i njohur i muzikës shqipe, Naser Berisha, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kosovare është rikthyer në muzikë pas një pauze të gjatë. Ai së fundmi ka publikuar albumin e tij të katërt të quajtur “Epikë”, që po vazhdon suksesin e tij dita ditës duke grumbulluar mijëra klikime në platformat digjitale.

Berisha ka dhënë një intervistë ekskluzive për portalin e diasporës, albora.ch. Edhe pse u përball me një sëmundje të rëndë, zëri i tij nuk ka ndryshuar dhe kënaq edhe sot muzikëdashësit e tij. Mërgimtari ka treguar më shumë rreth jetës së tij që e bën mes Kosovës dhe Gjermaninë.

Duke i përkitur mërgatës shqiptare, Berisha thotë, se janë disa gjëra që i pengojnë në Kosovës dhe do të donte të ishin si në Gjermani.

“Natyrisht se edhe Kosova i ka edhe të mirat, por edhe mangësitë e veta sikur çdo shtet e shoqëri tjetër. Edhe pse të jemi të sinqertë në Kosovë ka pak më shumë mangësi sesa në vendet e tjera. Kurse mua më së shumti në Kosovë më pengon niveli i ulët i mirëmbajtjes së  pastërtisë dhe poashtu mentaliteti që “çka është jashtë derës së oborrit tim, nuk është e imja.”

Ai ka paralajmëruar një bashkëpunim me një artiste të re dhe ka treguar se kush është këngëtari i tij i preferuar.

Intervista e plotë me këngëtarin Naser Berisha:

Albora.ch/ Së fundmi keni lansuar albumin më të ri. A jeni i kënaqur me rezultatin e tij?

Naser Berisha: Po, më datën 10 shkurt të këtij viti e përmbylla punën një vjeçare në albumin tim të katërt, e i cili vije pas plot 16 viteve nga publikimi i albumit tim të tretë. Ishte një punë një vjeçare e cila kishte çaste kur ndihesh lodhur, pas punës në studio, pastaj klipeve që realizonim dhe vajtje e ardhje në Kosovë thuajse çdo muaj, por që kur e shija rezultatin e harroja mundin dhe gjithçka u kthente në kënaqësi. Albumi ka ecur dhe është dike ecur mirë sidomos në Spotify dhe iTunes. Të gjithë ata që nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë e t’i shohin klipet, munde t’i gjejnë të gjitha këngët e albumit tim të ri, por edhe të gjitha këngët nga karriera ime në kanalin tim zyrtar në YouTube: Naser Berisha-Official Channel, apo në Spotify dhe në të gjitha platformat e tjera digjitale.

Albora.ch/ Pse “A më kujton”, “Do të doja” dhe këngë të tjera të vjetra i kanë rezistuar kohës. Cili ka qenë sekreti që ke përdorur në këto këngë?

Naser Berisha: Përkushtimi i këngëve të vjetra ka qenë më i madh sepse për prodhimin e një kënge në format klasike me instrumentistë të gjallë janë dashur më shumë se një javë apo për një album kam punuar një vit, kurse tani me zhvillimin e teknologjisë dhe krijimin e këngëve sikur në fabrikat e prodhimit të “smokave” tregu nuk e “lejon” që t’i përkushtohesh aq shumë një kënge apo një albumi, sepse brenda ditës publikohen mbi 50 këngë, dhe kështu tregu është stërngarkuar me këngë dhe publiku poashtu. Pra, nuk ka kohë që të kënaqët me kryevepra (edhe nëse ato edhe sot e kanë kualitetin e njëjtë) por kërkojnë çdo ditë këngë të reja dhe me dëgjimin e 2-3 herëve mjafton dhe shkojnë me moton “THE NEXT”.

Albora.ch/ A do të kemi ndonjë bashkëpunim në të ardhmen?

Naser Berisha: Po besoj se shumë shpejt do të kem një bashkëpunim me një këngëtare të re, e cila e ka fituar një lloj Challeng, të cilën e kisha kërkuar unë përmes rrjeteve sociale. Besoj se do të jetë një befasi nga une, poashtu është një aksion që e kam ndërmarrë që t’i ndihmoj artistëve të rinj, e që në rastin tim është një këngëtare e re, vetëm 17 vjeçare.

Albora.ch/ Cili është këngëtari ose këngëtarja juaj shqiptare e preferuar?

Naser Berisha: Pasi që tani më nuk po guxoj të shprehem për këngëtarët e rinj për shkak se teknologjia ia ka mundësuar të gjithëve të bëhen këngëtar, unë do ta zgjedh një këngëtar, i cili vije poashtu nga koha e “Live Muzikës” e që për mua edhe sot është njëri ndër këngëtarët më të mirë shqiptar, është Sejat Jakupi nga grupi Telex, e të cilët fatkeqësisht ka kohë që nuk janë aktiv.

Albora.ch/ Ju jeni larg vendlindjes, çka ju mungon më së shumti nga Kosova?

Naser Berisha: Përveç familjarëve që është e vetëkuptueshme, më së shumti më mungon qyteti im dhe shoqëria, edhe pse kohëve të fundit thuajse nuk po ndjej mungesën sepse për shkaqe të punës me muzikë dhe mbrëmje, më shumë po qëndroj në Kosovë sesa në Gjermani.

Albora.ch/ Cila është gjëja që të pengon më së shumti në Kosovë?

Naser Berisha: Natyrisht se edhe Kosova i ka edhe të mirat, por edhe mangësitë e veta sikur çdo shtet e shoqëri tjetër. Edhe pse të jemi të sinqertë në Kosovë ka pak më shumë mangësi sesa në vendet e tjera. Kurse mua më së shumti në Kosovë më pengon niveli i ulët i mirëmbajtjes së  pastërtisë dhe poashtu mentaliteti që “çka është jashtë derës së oborrit tim, nuk është e imja”

Albora.ch/ Çfarë të mësoi Gjermania që në Kosovë ndoshta nuk do e kishe mësuar kurrë?

Naser Berisha: Gjermani më mësoi shumë gjëra, e që ndoshta do t’i kisha mësuar edhe në Kosovë, por ndoshta me dekada më vonë. E çka është ndoshta më primarja, është disiplina në punë dhe korrektësi e ndërsjellët me njerëzit që jeton e punon.

Albora.ch/ Më shumë e shijoni një makiato në Prishtinë apo një ecje/shëtitje në Gjermani?

Naser Berisha: Ecja në Gjermani, e kam edhe ashtu si hobi, sepse nuk mundem pa të, kur më së shumti lodhëm në studio duke punuar, unë nuk dal në dhomë e të shtrihem, por dal në natyrë e eci. Por, këtu më duhet të them se edhe një makiato në Prishtinë/Gjilan e ka lezetin e vet të pazëvendësueshëm.

Albora.ch/ Duke qenë se ju ishit larguar për një kohë nga muzika, kjo ishte për shkak të shëndetit tënd. Si jeni tani dhe si e kujtoni kohen kur jeni ballafaquar me sëmundjen?

Naser Berisha: Ishte një kohë shumë e vështirë për mua dhe familjen time, sepse unë përveç se nuk ndihesha mirë me shëndet, në anën tjetër më mungonte edhe aktiviteti im muzikor e që të njëjtën kohë do të më largonte nga mendimet negative dhe depresioni i mundshëm. Por, dikur me ndihmën e të gjithëve, nga familja, shoqëria dhe adhuruesit e muzikës time që nuk më linin rehat që të vazhdoja, e gjeta fuqinë që edhe ashtu si isha të vazhdoj me muzikë. Tek e fundit, përveç dukjes asgjë tjetër nuk kishte ndryshuar tek unë, as zëri e as mënyra e të shkruarit këngë e tekste.

Albora.ch/ Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Naser Berisha: Për momentin jam duke e përgatit një mini-turne në Kosovë dhe Shqipëri për disa mbrëmje ‘Live’ me bendin tim, që do t’i bëjmë gjatë muajit mars dhe prill, e pastaj dikur do të publikoj edhe këngën e re në bashkëpunim me këngëtaren e re që e ceka më lart. /albora.ch/

Lexo edhe:

Marketing