Marketing

Fillimisht delegacioni i Kosovës në Strasburg mbajti një minutë heshtje për viktimat e agresionit rus në Ukrainë.

Me këtë rast, deputeti i AAK-së, njëherësh pjesë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asocim, Pal Lekaj hapi fjalimin e tij duke komentuar situatën në Ukrainë dhe tërhoqi vëmendjen për BE-në dhe Kosovën siç tha për disa zhvillime.

“Së pari, nga Komisioni Evropian, institucionet dhe lidershipi i BE-së, kanë pasur një qasje jo të përshtatshme politike dhe një trajtim jo të duhur ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në Raportin e fundit të Progresit të BE-së për Republikën e Kosovës, në pjesën ku flitet për dialogun me Serbinë, është absurde dhe e papranueshme që observimet dhe rekomandimet, janë formular njëjtë si për Kosovë, ashtu edhe për Serbi. Kjo nuk reflekton me realitetin. Ju e keni parë që i vetmi vend në rajon, i cili nuk ka asnjë lidhje me politikën e jashtme të BE-së dhe as me objektivat e politikës së fqinjësisë, është Serbia. Ajo nuk iu bashkua as rajonit dhe as BE-së në sanksionimin e agresionit rus. Serbia aplikon një qasje ruse ndaj Kosovës në dialog”, tha ai.

Lekaj, tutje e quajti si jo normale që sa i takon dialogut, Kosova dhe Serbia “të futen në një thes” nga BE-ja dhe se e njëjta, sipas tij, nuk i ka realizuar premtimet politike, sikurse është liberalizimi i vizave.

“Me këtë qasje izoluese, ajo po përhapë paqartësi politike në lidhje me synimet e saj ndaj Kosovës. Kjo duhet të mbarojë sa më shpejtë. Liberalizimi do duhej ndodhur dje”, tha Lekaj.

Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica tha se Kosovës i duhet qasja në fondet e BE-së të dedikuara për rimëkëmbjen pas pandemisë dhe përballimin e krizës, veçanërisht në fushën e diversifikimit të burimeve të energjisë, digjitalizimin, efiqiencën e energjisë dhe tranzicionin energjetik.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, kërkoi njohje të pavarësisë së Republikës së Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së. Ajo po ashtu u shpreh se Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet që të ketë liberalizimin e vizave të cilin qytetarët tanë meritojnë.

“Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim, BE-Kosovë, sot po zhvillon pjesën e dytë të mbledhjes në Parlamentin Evropian. Tema për të cilën iu drejtova kolegeve nga Parlamenti Evropian ishte “Presidenca franceze e BE-së, politika e zgjerimit dhe mundësitë për Kosovën”Tani kur kemi një peizazh të ndryshëm politik të sigurisë në kontinentin tonë pas veprimeve të agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, tregon nevojën për unitet dhe veprim kolektiv brenda Bashkimit Evropian. Njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së është çështje e sigurisë kolektive. Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet që të ketë liberalizimin e vizave të cilin qytetarët tanë meritojnë. Anëtarësimi i Kosovës në Kështillin e EvropësFranca e cila kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian, në një kohë të vështirë për Evropën dhe për botën, është e rendësishme që të bëhet integrimi i atyre shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë dëshmuar pro vlerave demokratike brenda familjes së Bashkimit Evropian”, tha ajo.

Në fund të punimeve, Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociim Bashkimi Evropian – Kosovë pritet të miratojë Deklaratën e Përbashkët me Rekomandime për institucionet ekzekutive të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës./albora.ch/

Marketing