Policia Kufitare e Rinasit ka proceduar penalisht një 36-vjeçare, e cila braktisi në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.

Marketing

Sipas njoftimit të bluve të Rinasit, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo shtetase ka braktisur në Suedi, 2 vajzat e saj të mitura (13 dhe 15 vjeçe), me qëllim që të kërkonin dhe të përfitonin azil, në këtë shtet. Në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, 2 shtetaset e mitura janë kthyer në Shqipëri.

“Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.

Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero. Policia e Shtetit është e vendosur për të ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur, jashtë vendit, me qëllim azilkërkimin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë Kufitare të Rinasit.

Marketing