Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës përbën “gjenocid” dhe e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se po tenton të “zhdukë idenë” që dikush ta quajë veten ukrainas.

Marketing

Putin, në anën tjetër, është zotuar se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen qëllimet.

Biden i ka konsideruar veprimet e Rusisë në Ukrainë si “gjenocid”, përgjatë një fjalimi që ka mbajtur në Ajoa më 12 prill, duke thënë se buxheti i familjeve amerikane ose mundësitë e dytë për të blerë benzinë nuk duhet të varen nga fakti “nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg”.

Ai më vonë ka përsëritur qëndrimin e tij, duke iu thënë gazetarëve se e ka quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë si gjenocid “sepse është bërë secilën herë e më qartë se Putin është duke synuar që të zhdukë idenë që dikush të jetë ukrainas dhe të dhënat po shtohen”.

Ai ka thënë se avokatët mund të vendosin nëse veprimet e palës ruse konsiderohen gjenocid, “mirëpo ashtu me duket mua”.

Komentet e Bidenit kanë ardhur teksa mediat amerikane kanë raportuar se Pentagoni do të zhvillojë një takim me prodhueset më të mëdha të armëve në Shtetet e Bashkuara, për të diskutuar mundësitë e kësaj industrie që të mbështet Ukrainën në luftën kundër Rusisë, transmeton REL.

Zyrtarët pritet të diskutojnë propozimet për të rritur prodhimin aktual dhe që të zhvillojnë sisteme të reja, të cilat janë kyçe për t’i ndihmuar Ukrainës, është thënë në raportimet e mediave amerikane.

Në takim pritet të jenë tetë kompanitë më të mëdha për prodhim të armëve, përfshirë, General Dynamics, Raytheon dhe Lockheed Martin.

Shtetet e Bashkuara po ashtu pritet të njoftojnë se do të dërgojnë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainë – në vlerë të qindra miliona dollarëve – kanë raportuar mediat amerikane, duke cituar burime të paidentifikuara.

Shuma përfundimtare nuk është finalizuar, mirëpo pritet të jetë rreth 700 milionë dollarë.

Nëse miratohet, dërgesa shtesë do të çonte ndihmën e SHBA-së për Ukrainën në më shumë se 3 miliardë dollarë, prej nisjes së udhëheqësisë së Bidenit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje SHBA-së dhe Evropës që të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë për të luftuar agresionin rus./albora.ch

Marketing