Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian sot nënshkruan marrëveshjen financiare të programit IPA 2023.

Marketing

Kjo marrëveshje e nënshkruar midis zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në vlerë prej 75 milionë euro ka për qëllimin lehtësimin për tejkalimin e krizës energjetike në Kosovë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Bislimi përmendi invazionin rus në Ukrainë si rezultat i fillimit të krizës energjetike.

“Si rezultat i këtij invazioni, edhe kriza energjetike ka qenë më e thellë dhe ka pasur impakt më të gjerë në Evropë dhe më tej. Në njërën anë kjo krizë ka kërkuar domosdoshmëri për intervenime fiskale me synim mbrojtjen e kategorive më të ekspozuara. E po ashtu ka detyruar komunitetin e bizniseve dhe amvisërive të hulumtojnë për zgjidhje në rritje të efiçencës si në prodhimin ashtu edhe në konsumin e energjisë”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri shprehu kënaqësine për nënshkrimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme.

“Andaj, sot kam kënaqësinë, të nënshkruaj marrëveshjen financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin vjetor IPA 2023, e cila në plotni i është dedikuar financimit në fushën e energjisë. Ky program përbën edhe një hap tjetër të rëndësishëm drejt rrugëtimit tonë të integrimit evropian dhe dëshmon përkushtimin tonë ndaj vlerave  dhe standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Nga ky program Kosova përfiton fondin në vlerë prej 75 milionë eurove. Këto mjete padyshim që do të na ndihmojnë në adresimin e krizës energjetike që Kosova si shtetet tjera është duke e përjetuar.

“Marrëveshja hyn në fuqi sot, në ditën e nënshkrimit dhe ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për dizbursim të 90 përqind të fondit të parapara me këtë marrëveshje., pra për 67.5 milionë euro, të cilat pritet të disbursohet shumë shpejtë në buxhetin e Kosovës. Ndërsa, pjesa tjetër, prej 7.5 milionë eurove do të disbursohet gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare”, tha Bislimi.

Marketing