Asnjë martesë nuk është pa probleme apo sfida të ndryshme por që disa bëjnë të pamundurën që problemet t’i zgjidhin e t’i kalojnë në mënyrë të thjeshtë.

Marketing

Në një vend si Kosova ku problemet soci-ekonomike zënë vend në jetën e secilit prej neve edhe sfidat në martesa janë të larta dhe normalisht numri i lartë divorceve është i pashmangshëm. Megjithatë, një martesë që ka probleme nuk është shkaku për divorc, në shumë raste ajo është të dish rreth tyre dhe kur ato do të bëhen një problem, të dish se si të zgjidhësh ato.

Kosova edhe pse vend i vogël numri i shkurorëzimeve, krahasuar më vitet e mëparshme është i lartë dhe në ngritje çdo vit më i lartë se ai paraprak.

Gratë në Kosovë durojnë shumë vetëm për të mbajtur martesën e tyre sepse në mentalitetin shqiptar divorci nuk është edhe shumë i pranuar. Arsyet e divorceve në Kosovë mund të jenë të shumta, por si një arsye e fortë kohëve të fundit është fuqizimi i femrës si në aspektin profesional por edhe ekonomik.

A.Mehmetaj 31 vjeçare në një bisedë për Albora.ch ka treguar se si muaj më parë është divorcuar nga bashkëshorti i saj dhe sipas saj tashmë ajo është e bindur se ka bërë hapin e duhur. Ajo ka treguar se pesë vitet e saj në martesë kishin qenë të tmerrshme dhe se ju kish dashtë kohë deri e kishte marrë vendimin për tu ndarë.

“Duke u nis nga mentaliteti jonë mesjetar e kam pasur shumë të vështirë që të vendos të divorcohem sidomos ti bëjë ballë paragjykimeve të njerëzve, por dikur erdhi momenti dhe u divorcova. Në fillim se kam pas përkrahjen e askujt as të familjes time, por më vonë gjithçka ka ndryshuar sepse e kuptuan se martesës time i kishte ardhë fundi”, ka thënë 31 vjeçarja e cila aktualisht ka një punë të mirë dhe po arrin të kujdesët për djalin e saj 5 vjeçar.

“Në Kosovë mbështetja e shtetit për gratë është pothuajse zero dhe si e tillë dihen edhe vrasjet e dhuna që ushtrohet ndaj grave. Mbështetje nga shteti nuk ke në asnjë rrethanë dhe kjo paraqet një problem serioz, andaj gratë shpesh e durojnë edhe dhunën vetëm për të pasur një vend ku të jetojnë” ka thënë ajo. Nëse një grua në Kosovë dëshiron divorc shpesh herë trajtohet e paragjykohet në mënyrë të padrejtë kjo për faktin se divorci deri vonë nuk ka qenë i pranuar në Kosovë. Sipas Agjensionit të statistikave të Kosovës, në muajin qershor 2022 janë regjistruar gjithsej 1 205 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime janë regjistruar 129 raste. Në vitin 2021 janë regjistruar dy mijë e 160 shkurorëzime.

Të dhënat që Albora.ch ka sigurar nga Agjensioni i Statistiakve të Kosovës tregojnë se në muajin qershor 2022 janë regjistruar gjithsej 1 205 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime janë regjistruar 129 raste. Sipas statistikave të ASK-së, numri më i madh i shkurorëzimeve ka ndodhur në: Prizren-189 raste ose 8.8 për qind, në Prishtinë- 175 raste ose 8.1 për qind, Podujevë-141 raste ose 6.5 për qind. Sipas kohëzgjatjes së martesës, dominon viti i dytë me 10 për qind, viti i tretë me 9 përqind dhe viti i katërt me 7.4 për qind të shkurorëzuarve. “Shkurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë te femrat e moshës 25-29 vjeçare me 461 shkurorëzime, kurse te meshkujt dominojnë te moshat 30-34 vjeç, me 489 shkurorëzime” thuhet më tutje në njoftim.

Doktori i sociologjisë Ferdi Kamberi, ka thënë për Albora.ch se fenomeni i divorcit është një ndër fenomenet e përhapura në shoqërinë moderne, përfshirë këtu edhe shoqërinë kosovare. Divorc do të thotë ndarje ose fund i martesës me ose pa dakordim të çifteve. Përderisa në aspektin ligjor, divorci është një e drejtë e çifteve, në aspektin psikologjik dhe social, ai mund të bart një mori të pasojave. Paul Bohannan dallon gjashtë të ashtuquajtura stacione të divorcit nëpër të cilat duhet të kalojë çifti që divorcohet:

Divorci emocional – shpreh përkeqësimin e martesës, rritjen e tensionit midis partnerëve, dhe zakonisht çon drejt ndarjes.

Divorci ligjor – është fundi i martesës nga ana ligjore.

Divorci ekonomik – ka të bëjë me ndarjen e pasurisë dhe të pronave.

Divorci bashkëprindëror – lidhet me problemet e kujdestarisë mbi fëmijët dhe të drejtat e takimeve me ta. Divorci social – ka të bëjë me ndryshimet në rrethin shoqëror të të divorcuarve.

Divorci psikologjik – kur individi ndërpret lidhjet e mëparshme emocionale dhe përballon kërkesat e të jetuarit i vetëm.

“Në kontekstin kosovar shohim se vit pas vit numri i divorceve është rritur dukshëm dhe me siguri se ekzistojnë një mori të faktorëve ose shkaqeve, ndër to edhe: ndryshimet në strukturën e familjes, përderisa në të kaluarën kanë dominuar familjet e mëdha sot nuk mund të thuhet e njëjta gjë, pra ekziston një koncept sociologjik mbi familjet e vogla, faktorë të tjerë janë edhe rritja enorme e dhunës në familje, ku në pjesën më të madhe të rasteve viktimë janë gratë dhe fëmijët.

Sociologu Ferdi Kamberi

Po ashtu, si faktorë mund të nënvizohen edhe pavarësimi ekonomik i grave dhe mos varësia nga burrat që dikur është shquar familja shqiptare, mos – marrëveshjet brenda familjes, konsumimi i martesës, dobësimi i rolit të familjes në raport me të kaluarën, kriza në sistemin e vlerave dhe mjegullia që ka kapluar së fundi shoqërinë kosovare. Faktorë të tjerë janë edhe migrimi, nevoja për një standard më të mirë të jetës, një gjë e tillë vërehet dukshëm, ku në të kaluarën kryesisht vajzat kanë qenë ato që kanë shikuar kushtet socio – ekonomike më shumë, ndërsa tani një gjë të tillë e bëjnë edhe djemtë, faktorët socio – ekonomik në vend, përfshirë këtu papunësinë e cila ka reflektuar në varfëri, faktorët individual përfshirë çështjet e tradhtisë bashkëshortore, rrjetet sociale, motivet e ulëta” ka thënë Kamberi.

Ai ka renditur disa nga arsyet që qojnë në divorc dhe ndikimi që mund të ketë në shoqëri. Si në vende tjera ashtu edhe në Kosovë, standardi i jetesës për secilin nga partnerët pas divorcit është i ulët, pasi shkaqet janë të shumta dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në shoqëri. Sipas studimeve, dy në katër gra nuk sigurojnë nga ish-bashkëshorti skemat sociale në favor të fëmijëve, ndërsa disa të tjerë për shkak të divorcit humbasin punën, të tjerë edhe banesën, për t’u përballur më tutje me qiratë e banesave. Në rastet e dhunës nga ish-bashkëshorti apo pamundësive fizike, u duhet të lënë banesat dhe të strehohen ku të munden. Të gjitha këto ndikojnë në standardin e jetës së tyre, e cila është një kosto shtesë për çdo familje në këto kushte, po ashtu edhe për shoqërinë, duke evidentuar që në të gjitha rastet që secili prej tyre rezulton i papunë, i drejtohen shtetit për ndihma sociale.

Albora.ch

Marketing