Marketing

Një nga kriminelët më të kërkuar në Europë, një shtetas belg i akuzuar për rrëmbim, marrje pengje, grabitje të armatosur dhe trafik droge u arrestua mbrëmë pak para mesnatës në Cyrih, gjatë një operacioni të përbashkët të policisë kantonale dhe Zyrës Federale të Policisë Fedpol. Lajmi u bë i ditur nga hetuesit.

35 vjeçari ishte në shënjestër të autoriteteve zvicerane për falsifikimin e disa dokumenteve. Përveç kësaj, Belgjika kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar me akuza të shumta, transmeton albora.ch.

Gjatë arrestimit të kryer nga grupi i ndërhyrjes Diamant i policisë kantonale të Cyrihut dhe i koordinuar nga ministria publike e Kantonit të Cyrihut, u arrestua edhe partnerja e kriminelit, një holandeze 28 vjeçare. Shtetasi belg ishte dënuar me katër vjet burgim në Antwerp më 12 mars 2020 për grabitje në grup, zhvatje me armë dhe heqje lirie, tha pasditen e sotme prokurori i qytetit belg.

Burri ishte në arrati që nga pranvera e vitit 2020. Ai ishte në listën e të kërkuarve belg dhe evropian të Europolit. Arrestimi në Cyrih ishte rezultat i një kërkimi intensiv që zgjati me muaj, specifikuan hetuesit e Antwerpen.

Krimineli është nën hetim për disa raste, është i përfshirë në veprimtari me krim të organizuar dhe kontrabandë ndërkombëtare të drogës. Belgjika synon të kërkojë ekstradimin e tij./albora.ch/

Marketing