Marketing

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, Ilir Gjoni priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lozanës. Fokus i këtij takimi me studentët Dea Bllaca, Ardiana Dacaj, Arbër Gashi dhe Zarif Berisha ishte njohja nga afër me studentët që studiojnë në Zvicër, si dhe ndërtimi i një marrëdhënie partneriteti mes Ambasadës dhe shoqatave studentore.

Me këtë rast, Ambasadori i ftoi studentët të marrin pjesë në veprimtaritë që do të zhvillohen në Tiranë me rastin e shpalljes së Tiranës si kryeqyteti Europian i Rinisë 2022 (EYC2022), në qendër të të cilave do të jenë të rinjtë, shfaqja e potencialit që ata kanë, si dhe fuqizimi i rolit të tyre në vendimmarrje.

Studentët janë një nga komuniteti më kontribues i imazhit pozitiv të shqiptarëve në Zvicër, pavarësisht problematikave dhe sfidave që ata kalojnë, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

“Ambasada e RSH në Bernë, do të vijojë të jetë mbështetja dhe zëri i tyre në sfidat dhe problematikat e studentëve shqiptarë që jetojnë, studiojnë dhe ndërtojnë karrierën intelektuale në Zvicër”, përfundon njoftimi./albora.ch/

Marketing