Një çifti kosovar me vendbanim në Zvicër, Zyra për Migracion dhe Ekzekutiv ua ka refuzuar kërkesën për birësimin e nipit të tyre i cili jetonte në Kosovë.
Sipas Gjykatës Administrative të Zugut, një birësim i tillë është parandaluar nga autoritetet zvicerane pasi që konsiderohet se është abuziv, raporton Zentralplus – transmeton Albora.ch.
Burrit i cili ka 23 vjet që jeton në Zvicër dhe gruas e cila jeton që 13 vite në Zvicër, ideja për ta sjellë nipin e tyre nga Kosova në Zug si pjesë e bashkimit familjar, u kishte lindur tre vjet më parë.
Autoritetet kosovare kishin miratuar aktin e adoptimit në vitin 2018 ndonëse kjo duket disi e habitshme, shkruan zentralplus.ch. Sepse djali, atëherë 15-vjeç jetonte me prindërit dhe vëllain e tij në atë kohë, në rrethana të qëndrueshme familjare dhe nuk kishte qenë kurrë më parë në Zvicër.
Megjithatë, gjyshërit kishin siguruar autoritetet zvicerane se marrëdhënia e tyre me nipin ishte shumë e ngushtë dhe se ai kishte probleme me prindërit. Me sa duket për “faktin” se ata e donin këtë djalë më pak se vëllain e tij.
Pasi Zyra për Migracionin dhe Ekzekutivi i Kantonit kanë refuzuar të njohin këtë birësim, gjyshërit kosovarë i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Zugut.
Autoritetet zvicerane në të tilla raste zbatojnë rregullat vendore, ku ndër të tjera thuhet se diferenca në moshë mes fëmijës dhe prindërve adoptues, nuk duhet të jetë më shumë se 45 vjet. Në rastin konkret bëhet fjalë për 48 vite diferencë mes gjyshërve dhe nipit.
Gjykata Administrative nuk sheh arsye për biësim, pasi që sipas tyre pretendimi se prindërit e fëmijës e duan më shumë vëllaun e tij se atë, janë normale në çdo familje.
Sipas autoriteteve, ky birësim është vetëm një justifikim për t’i mundësuar djalit që të jetojë në Zvicër dhe të shkollohet këtu.