Përleshja para një klubi në qytetin e Lucernit ka ndodhur pesë vjet më parë. Dëshmitë dhe disa video-incizime kanë inkriminuar kosovarin, të cilin, Gjykata Penale e Luzernit e kishte dënuar për lëndim të rëndë trupor.

Marketing

Viktima, një zviceran, nuk është shëruar nga kjo goditje, nuk ishte në gjendje të punonte dhe madje i është dashur të regjistrohej për pension invaliditeti, shkruan Luzerner Zeitung.  

Mirëpo, 28-vjeçari kosovar nuk e sheh veten si autor, por si viktimë. Ai thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje.

Në seancën e apelit në Gjykatën Kantonale të Lucernit, i akuzuari ka “luftuar” kundër dëbimit disavjeçar nga vendi. Avokati i tij mbrojtës e quan veprën e klientit të tij “sulm të thjeshtë” dhe, rrjedhimisht, ky dënim nuk do të rezultonte me dëbim nga vendi.

Dëshmitë si dhe video-incizimet e shikuara e kanë vërtetuar qartë këtë. Nuk mund të bëhet fjalë për vetëmbrojtje, tha gjyqtari në hapjen e aktgjykimit. Duke qenë se lëndimi i rëndë trupor është një e ashtuquajtur vepër e katalogut dhe kjo rezulton automatikisht me dëbim nga vendi, 19 muajt e burgimit me kusht shoqërohen me 7 vjet dëbim nga vendi.

Kosovari ka ardhur në Zvicër në vitin 1997 në moshën katërvjeçare, këtu ka ndjekur shkollimin dhe ka mësuar një zanat. Ai ka një vend pune dhe tani jeton me gruan e tij në rrethinën e Lucernit. Është ende e paqartë nëse ai do të apelojë vendimin në Gjykatën Federale. Aktgjykimi u dërgohet palëve me shkrim./albora.ch/

Marketing