Marketing

Nisma që kërkon uljen e tarifës së radio-televizionit në 200 franga është “sulm i ri ndaj shërbimit publik që vjen katër vjet pas refuzimit të nismës ‘Jo Billag’”, e refuzuar me 72% të votave kundër.

“Në atë kohë popullata kishte konfirmuar gatishmërinë e saj për të mbajtur një shërbim të fortë publik”, shkruan PSG në një shënim, në të cilin thuhet tutje “i gatshëm të demonstrojë edhe një herë kontributin e tij në shoqëri”, transmeton albora.ch.

Nëse pranohet, nisma popullore do të rezultonte në një reduktim masiv të buxhetit të SRG-së. Me një reduktim të tillë, SRG nuk mund të mbështesë më modelin e saj aktual të decentralizuar.

 “Pasoja do të ishte një centralizim i gjerë, ndoshta në një vend të vetëm prodhimi, veçanërisht në dëm të mbulimit rajonal, pakicave gjuhësore dhe të gjitha rajoneve të vendit tonë”.

Një zvogëlim masiv i SRG do të ishte një goditje serioze për qendrën mediatike zvicerane, dhe “në veçanti për sektorët zviceran të kinemasë, muzikës, kulturës dhe sportit”.

Centralizimi do të kishte gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm te stafi. Pas 100 milionë frangave të kursyera tashmë nga SRG gjatë tri viteve të fundit, pasojat e mëdha për personelin do të ishin të pashmangshme.

“Ndikohen gjithashtu shumë punë të jashtme që varen drejtpërdrejt nga SRG, si dhe investime prej afro 100 milionë frangash në vit në industrinë audiovizive dhe prodhimin e pavarur”.

SRG gjithashtu thekson se taksa e mediave për familjet tashmë është ulur me më shumë se 25% që nga viti 2018.

Gjatë së njëjtës periudhë, PSG-ja ka reduktuar rëndë buxhetin e saj. Shkurtimet e mëtejshme do të rezultonin në mënyrë të pashmangshme në një dobësim të cilësisë.

Pranimi i një nisme të tillë, përfundon shënimi, “do të çonte në një rënie të mprehtë të ofrimit të informacionit të pavarur, të nevojshëm për formimin e opinionit publik dhe të domosdoshëm për funksionimin e duhur të demokracisë së drejtpërdrejtë”./albora.ch/

Marketing