Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas takimit me ministrin e Brendshëm të Bavarisë, në Republikën Federale të Gjermanisë, Joachim Herrmann, ka thënë se janë në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Kosovës nga Gjermania.

Marketing

“Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, biseduam për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje. Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkretë në këtë drejtim”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol janë synimet tona, për të cilat e njoftova që jemi duke u angazhuar intensivisht për t’i realizuar dhe që natyrisht kemi nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre”, ka thënë Sveçla.

Ai ka theksuar se Pandemia COVID-19 ka vështirësuar takimet e udhëtimet tona “por me dëshirën më të madhe kam ftuar zotëri Herrmann të vizitojë Republikën e Kosovës që ta njoftojmë nga afër me punën dhe arritjet tona”. /albora.ch/

Marketing