Marketing

Më shumë se 15,000 ukrainas kanë ikur në Zvicër që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt dhe pritet që ky numër të shkojë në 50 mijë deri në verë.

Pritshmëria e qeverisë zvicerane është që këta azilkërkues të jenë këtu përkohësisht. Arsyeja për këtë supozim është se shumica dërrmuese e refugjatëve janë gra dhe fëmijë që do të duan të kthehen te burrat e tyre në Ukrainë kur të përfundojë lufta.

Por çfarë ndodh nëse, për çfarëdo arsye, ata do të zgjedhin të qëndrojnë në Zvicër për një kohë të pacaktuar? A mund t’u jepet një leje qëndrimi e përhershme B dhe vonë  një pasaportë zvicerane? A janë rregullat të njëjta si për refugjatët e tjerë që kërkojnë natyralizim?

Ja çfarë duhet të dini.

Cili është statusi ligjor i refugjatëve në Zvicër?

Tani për tani, njerëzve që ikin nga Ukraina u jepet një status special S – një dokument identiteti që autorizon një qëndrim të përkohshëm në Zvicër, të drejtën për punësim të menjëhershëm, kujdes shëndetësor falas dhe kurse gjuhësore.

Kjo leje është e vlefshme për një vit, por mund të zgjatet.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), pas pesë vjetësh, personat në nevojë për mbrojtje mund të marrin një leje qëndrimi B, e cila është e vlefshme deri në heqjen e mbrojtjes së përkohshme, shkruan The Local.ch, transmeton Albora.ch

Kjo do të thotë që pasi situata në Ukrainë të stabilizohet dhe të konsiderohet mjaft e sigurt për refugjatët që të kthehen atje, statusi i tyre S ose B (nëse ata tashmë e kanë marrë këtë të fundit) do t’u hiqet.

A do të thotë kjo se refugjatët nuk mund të aplikojnë kurrë për qëndrim të përhershëm?

Meqenëse statusi S nuk është aktivizuar kurrë më parë në Zvicër, nuk ka asnjë provë të qartë se çfarë do të ndodhë përfundimisht me marrësit e tij.

Në përgjithësi, megjithatë, “refugjatët e njohur kanë të drejtën e një leje qëndrimi B në kantonin ku ata banojnë ligjërisht”, sipas një komunikate të botuar nga SEM.

“Kjo leje jepet për një vit, por, si rregull i përgjithshëm, rinovohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet për njohjen e statusit të refugjatit. Autoritetet mund të lëshojnë një leje qëndrimi të pakufizuar në kohë (C) për refugjatët që kanë qëndruar për dhjetë vjet në Zvicër, nëse plotësohen kriteret e integrimit dhe për aq sa nuk ka arsye për revokim. Nëse personi është i integruar mirë dhe e njeh mirë gjuhën kombëtare që flitet në vendbanimin, aplikimi për dhënien e lejes së vendbanimit mund të bëhet pas pesë vjetësh”.

Kjo do të thotë se, të paktën teorikisht, nëse statusi S ose B i refugjatëve – përfshirë ata nga Ukraina – nuk revokohet, ata do të mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse (dhe si) kjo do të funksionojë në praktikë.

Po shtetësia?

Kriteret dhe procesi për t’u bërë shtetas zviceran janë të njëjta për refugjatët si për shtetasit e tjerë të huaj. Ato përfshijnë kohëzgjatjen e qëndrimit, integrimin, njohjen e një gjuhe kombëtare dhe respektimin e ligjeve dhe vlerave zvicerane.

Përveç kushteve të listuara më sipër, aplikimi për ndihmë sociale në Zvicër nuk është i mirë për sa i përket marrjes së shtetësisë – përveç nëse të gjitha paratë kthehen plotësisht përpara se të aplikoni.

Nëse ndodh që një refugjat ukrainas lejohet të qëndrojë në Zvicër për 10 vjet, pa i hequr ndërkohë statusi, atëherë ata mund të aplikojnë për natyralizim, me kusht që të plotësojnë të gjitha kriteret e listuara më sipër. /Albora.ch

Marketing