Policia gjermane ka evakuuar ditën e sotme disa persona nga një qendër tregtare dhe zona përreth në qytetin e Dresdenit, për shkak të një situate ende të paqartë, ku dyshohet se disa persona janë marrë peng.

Marketing

Mediat gjermane raportojnë se një burrë i armatosur kishte vrarë një grua, më pas sulmoi një radio lokale dhe qëlloi me armë përpara se të futej në një qendër tregtare ku mori disa pengje, përcjell Albora.ch

Në faqen e saj të internetit, Radio Dresden tha se më herët një person i armatosur kishte hyrë në zyrat e ndërtesës Ammonhof, ku ndodhet stacioni i radios, rreth orës 8:30 të mëngjesit me orën lokale (07:30 GMT) dhe se kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Pak pas orës 11:30 (10:30 GMT) me orën lokale, policia konfirmoi se ishte në kontakt me autorin, i cili thuhet se kishte marrë dy pengje në qendrën tregtare Altmarkt-Galerie, me një grup negociator në vend.

Sipas autoriteteve, burri është i sëmurë mendor.

Policia konfirmoi se një grua 62-vjeçare ishte gjetur e vdekur në një ndërtesë apartamentesh në Prohlis, Dresden këtë të shtunë, dhe se djali i saj 40-vjeçar u emërua si i dyshuar.

Raportohet se policia tha se marrja e pengjeve në qendrën tregtare kishte lidhje me vrasjen, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

Marketing