Qytetarët britanikë janë vetëm vëzhgues të zhvillimeve politike në vend, teksa kryeministrat ndërrohen pa mbajtur zgjedhje.

Marketing

Derisa Partia Laburiste në opozitë po kërkon zgjedhje, Partia Konservatore e cila është në Qeveri sapo ka zgjedhur një lider nga radhët e veta – Rishi Sunak, kryeministri i tretë britanik që nga muaji shtator.

Ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë për shkak të mënyrës se si funksionon demokracia parlamentare e Britanisë.

Britanikët nuk votojnë kurrë për kryeministrin e tyre

Britania është e ndarë në 650 zona zgjedhore lokale dhe gjatë zgjedhjeve qytetarët votojnë për përfaqësuesin që duan të bëhet anëtari i tyre lokal i Parlamentit. Në shumicën e rasteve, ky mund të jetë një anëtar i një prej partive kryesore politike të vendit: Partia Konservatore, Partia Laburiste, Liberal-Demokratët dhe të Gjelbërit.

Partia që fiton shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve mund të formojë qeverinë dhe lideri i saj bëhet automatikisht kryeministër.

Derisa koalicionet janë të mundshme, sistemi zgjedhor në Britani favorizon dy partitë më të mëdha – Konservatorët ose Laburistët. Në shumicën e rasteve një parti e vetme merr shumicën absolute të vendeve, siç është rasti i konservatorëve në Parlamentin aktual.

Partia që qeverisë mund të ndryshojë liderin e saj sipas rregullave të veta dhe ai person bëhet kryeministër, pa pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje.

A do të ketë zgjedhje të përgjithshme së shpejti?

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Britani ishin në vitin 2019 dhe me Kushtetutë nuk kërkohen zgjedhje tjera deri në vitin 2024.

Por, me zgjedhjen e një kryeministri të tretë, shumë britanikë kanë filluar të pyesin veten pse nuk po përfshihen për të ndikuar në përcaktimin e liderit të tyre të ardhshëm. Zhurma për zgjedhje të përgjithshme në të ardhmen e afërt mund të bëhet edhe më e fortë.

Kryeministri ka fuqinë të shpallë zgjedhje më herët, por me Partinë Konservatore që mbetet shumë pas Partisë Laburiste në sondazhet e fundit, Sunak nuk ka gjasa ta bëjë këtë.

Ligjvënësit gjithashtu mund ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme duke ngritur mocion ndaj Qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve, por kjo do të kërkonte që shumë konservatorë të votojnë kundër qeverisë së partisë së tyre.

Marketing