Prindërit e nxënësve të shkollës ‘Bashkimi’ në Gostivar bojkotuan mësimin në ditën e parë të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, për shkak se një nga nxënëset, Ëmbla Ademi, është me sindromin Down.

Marketing

Ata madje nisën një peticion nën pretekstin se Ëmbla është agresive me nxënësit e tjerë, shkruan Albora.ch.

Për mungesën e Ëmblës në ditën e parë të shkollës, njoftoi vetë babai i saj, Ilir Ademi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot filloi gjysëmvjetori i dytë për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe moshatarët e vajzës time Ëmblën, vetëm Ëmbla jonë nuk e gëzoi këtë ditë sepse dikush ia ndalë këtë ndjesi, që mos të filloj me moshatarët e vet….derisa të gjithë gëzohen se fëmijët e tyre nisën gjysëmvjetorin e dytë, na si prindër të Ëmblës e mendojm kur do të filloj gjysëmvjetori i dytë për Ëmblën pasi që u bojkotua në gjysëmvjetorin e parë nga prindërit ( nënat) e moshatarëve të Ëmblës…me hajër na qoftë”, shkroi ai.

Kurse Ëmbla gjatë ditës së djeshme sërish përfundoi e vetme në një klasë të veçantë, kjo për shkak të ultimatumit që prindërit e nxënësve të tjerë i vunë drejtorisë së shkollës.

Babai i Ëmblës, Ilir Ademi, tha të mërkurën se për vajzën e tij sot është dita e parë e shkollës, pasi që dje nuk kishte kushte.

“Sot është për vajzën time dita e parë e shkollës, dje nuk ishte përshkak të kushteve. Në gjysmëvjetorin e parë mësonte në kushte të vështira në sallën e shfaqjeve. Mirëpo sot asistentja arsimore më tha që ta sjelli në klasë me fëmijët e tjerë”, tha ai.

Tutje ai shtoi se ajo më herët ishte mbajtur në sallën e shfaqjeve. Madje ajo ka ndërruar çdo dy javë klasën.

“Është mbajtur në sallën e shfaqjeve. Ne e dimë se si mund të jetë ajo e hapur dhe me një kalolifer të vogël. Kështu që ne nuk kemi qenë të pajtimit por në gjysmë vjetorin e parë ndodhi kjo dhe për atë vajza dje nuk filloi me gjysmëvjetorin e dytë pasi që mendova se do të vazhdojë të shkoj në sallën e shfaqjeve. Sot ndoshta veçmë janë vetëdisuar pak dhe më porositi asistentja arsimore që ta sjelli te klasa me fëmijët e tjerë”, shtoi tha Ademi për KlanMK.

Drejtori i shkollës fillore ‘Bashkimi’, Ziadin Nuredini, e ka arsyetuar veprimin e prindërve duke thënë se me prindërit e Ëmblës kanë qenë dakord që vajza të qarkullojë dhe të bëjë rotacion në tre paralele që janë në këtë shkollë.

Ëmbla kishte vizituar edhe qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta, Handimak, e drejtori, Adem Idrizi thotë se Ëmbla, asnjëherë nuk ka qenë agresive.

“Ëmbla nuk është fajtore për gjendjen e saj. Ne jemi ata që duhet të mbajmë përgjegjësi dhe duhet të kemi një ndërgjegje. Ato nënat që kanë refuzuar dhe kanë protestuar për ta përjashtuar Ëmblën nga shkolla vetëm një minutë të vendosin vetën në pozitën e Ëmblës. Kjo është një mesazh për të gjithë nënat tjera të cilat rezistojnë që fëmijët e tyre të përfshihen. Si çdo fëmijë ka vetitë e saja por përkundrazi Ëmbla por qasja ndaj saj normal që e bën edhe agresive. Por nuk është faji i saj por faji i atyre që punojnë me Ëmblën”, thotë për KlanMK Adem Idrizi, drejtor i “Handimak”. /albora.ch

Marketing