Sezonin e pushimeve mezi e presin qytetarët e Kosovës, pasi që për pushime kthehen mërgimtarët të cilët jetojnë në shtete e Evropës, si dhe në shtet e kontinenteve të tjera.

Marketing

Por, për një qytetar të Gjilanit, ardhja e disa mërgimtarëve nuk ishte lajm i mirë, shkruan Albora.ch. Kjo pasi që ai u shantazhu dhe kërcënua nga tre të tillë.

Siç mëson Albora.ch, N. S., A. S.(Babë e bir) dhe B. S që kanë prejardhjen nga fshati Malishevë (fshat në komunën e Gjilanit), por jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas Gjykatës së Gjilanit, këta tre persona të dyshuar i kanë huazuar 50 mijë euro viktimës, por ata e kanë detyruar viktimën t`iu paguajë fajde prej 20 % më shumë për çdo muaj.

Pas presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme, viktima deri në muajin gusht iu ka dhënë të dyshuarve 800.000 euro.

Përveç parave, të dyshuarit kanë marr edhe automjetet të tipit Range Rover, Mercedes dhe Tiguan nga viktima.

Këtë e konfirmojnë edhe institucionet kosovare.

Një informacion tjetër i rëndësishëm është se arrestimi i personave të dyshuar u bë pasi u zunë në flagrancë nga Policia e Kosovës.

Fillimisht, Prokuroria Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë të tre të dyshuarve.

“Departamenti për krime të rënda, ka paraqitur  kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, me dyshimin  se tre (3) persona  kanë kryer veprat penale ‘’Fajdeja’’, ‘’Detyrimi’’ dhe ‘’Kanosja’’”, njofton Prokurori i Shtetit.

Më pastaj, rasti është dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, më 2 shtator 2022, kjo e fundit ka bërë të ditur vendimin e saj.

Kjo Gjykatë me kërkesë të Prokurorisë Themelore të kësaj komune i ka caktuar masën me 30 ditë paraburgim të pandehurve  N. S., A. S. dhe B. S.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit nga koha e pa përcaktuar e deri më datë 31.08.2022, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar pa përvojën e viktimave duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe i kanë sjellë në gjendje të rëndë financiare, ashtu që fillimisht të dëmtuarve ua japin shumën prej 50.000 Euro, me fajde dhe në vazhdimësi u kanë bërë presion që viktimat t’ua paguajnë fajden prej 20 % mujore, duke e arritur shumën e dëmit prej 800.000 Euro, si dhe ju kanë marr automjetet të tipit Range Rover, Mercedes dhe Tiguan, si dhe me datë 31.08.2022, janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, duke hartuar kontratë kinse për shitblerje e cila ka qenë kontratë fiktive dhe ka qenë palujtshmëria të cilën të pandehurit ia kanë marr nga të dëmtuarit për fajde”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjilan.

Sipas kësaj, gjykate këta tre person kanë kryer dy vepra penale.

“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprat penale, fajdeja dhe detyrimi, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Gjilan.

Kurse, palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.

Albora.ch

Marketing