Ministria e Shëndetësisë ka nisur bashkëpunimin me mjekë nga mërgata. Ata do të kontribuojnë si trajnues të stafit vendor ose në reforma të sektorit, krahas punës që bëjnë në vendet evropiane.

Marketing

Ministria ka marrë përgjigje pozitive dhe është në proces të përgatitjeve administrative e logjistike që të krijohen kushtet për profesionistët shëndetësorë që janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet në Kosovë.

Mbi 20 mjekë që jetojnë dhe veprojnë në diasporë i kanë thënë po bashkëpunimit me institucionet e vendlindjes së tyre.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i vlerësuar për gatishmërinë e tyre ka thënë se ata kanë përvojë e kulturë pune në vendet ku operojnë.
Por mantelbardhët nga diaspora do të punojnë sipas mundësive të tyre, duke u angazhuar si ekspertë.

Një nga specialistet që i është përgjigjur ftesës është onkologia Ernesë Xhafa-Hamiti. E kontaktuar nga RTK-ja ajo konfirmon marrëveshjen me Ministrinë e Shëndetësisë, si eksperte e jashtme.

“Unë jam e ftuar personalisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe jam në listën e ekspertëve të jashtëm në kuadër të Institutit të Onkologjisë, që do të thotë se mund të angazhohem dhe të ndihmoj për çfarëdo mendimi të dytë, reformë për të mirën e këtij Instituti. Angazhimi im është ‘ad hoc’, kur unë jam e lirë dhe kam mundësi”, tha Ernesë Xhafa Hamiti, specialiste e Onkologjisë.
Për këtë mënyrë të angazhimit ka treguar edhe vet Vitia.

“Sigurisht që në fillim do të jenë atëherë kur kenë kohë sepse ajo që ne na duhet është trajnimi I  dhe edukimi I vazhdueshëm I profesionistëve tanë shëndetësorë”, tha Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë.

Për mundësi të bashkëpunimit në këtë nivel janë të gatshëm edhe mjekë të tjerë, anëtarë të nga Federata e Mjekëve.
“Gatishmëria është e padiskutueshme por sa është e gatshme pala tjetër institucioni shqiptarë në Kosovë ose Shqipëri që t’i mirëpres të gjitha rekomandimet, reformat apo protokollet që i kemi të gatshme siç e kanë bërë vendet të tjera evropiane që e kanë reformuar sistemin shëndetësorë”, tha Aurora Donllenberg, kryetare e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë.

Ndërkohë në Ministrinë e Shëndetësisë tregojnë se janë në proces të përgatitjeve në aspektin administrativ dhe logjistik që të krijohen kushte për të mundësuar bashkëpunimin.

Marketing