Anëtari i VV-së, Sami Kurteshi, ka thënë në Facebook se shteti i Zvicrës ka dënuar për shpifje një person për shkak të shkrimeve të tij kundër tij dhe Ismajl Kurteshit. Tutje ai shton se shteti zviceran e ka detyruar personin të kërkojë falje ndaj Kurteshëve.
“Kështu është shteti ligjor i së drejtës dhe kështu e lufton krimin! Më 3 dhe 8 nëntor 2021, pa asnjë arsye dhe shkas, një person i panjohur me emrin Sali Rexhaj, nga Serbia por me vendbanim në Cyrih të Zvicrës, ka publikuar dy shkrime në Facebook me përmbajtje të pavërtetë – SHPIFJE dhe të PAVËRTETA kundër meje – Sami Kurteshi dhe Ismajl Kurteshit, duke përmendur edhe emra të tjerë që nuk janë përfshirë në kallëzimin penal”, shkruan Kurteshi.
“Pa ndonjë hulumtim apo pyetje të të apostrofuarve në ato shkrime, më 4 nëntor 2021 i ka ripublikuar edhe një platformë elektronike skurrile, e dyshimtë – epilogu.com, me domenin https://epilogu.com . Më 26 janar 2022, nëpërmjet avokatit mbrojtës në Zvicër, në Prokurorinë e Lartë të Kantonit të Cyrihut është dorëzuar kallëzimi penal kundër personit Sali Rexhaj, për veprën penale SHPIFJE dhe PËRHPJE E TË PAVËRTETAVE sipas Nenit 173, 174 dhe 176 të Kodit Penal të Zvicrës (StGB). Më 2 shkurt 2022, pra vetëm brenda një jave, Prokuroria e Cyrihut e fillon procedurat e mbledhjes së dëshmive dhe akteve të tjera të domosdoshme për rastin”, shton ai.
Këto janë masat që ka marrë Prokuroria e Cyrihut sipas Kurteshit:
Me datë 8 prill 2022, Prokuroria në Cyrih e cakton datën e shqyrtimit të rastit midis palëve, të caktuar për 27 prill 2022. Kjo seancë dëgjimore, për shkaqe objektive shtyhet vetëm një herë, për datën 13 maj 2022.
Më 13 maj 2022, pas shqyrtimit të rastit nga Prokuroria e Cyrihut, vendoset që:
1. I akuzuari Sali Rexhaj
• deklaron se shpreh keqardhje për çdo padrejtësi të bërë ndaj të dëmtuarve Ismajl Kurteshi dhe Sami Kurteshi;
• u kërkon falje publike në Facebook të dëmtuarve Ismajl Kurteshi dhe Sami Kurteshi me postimin e mëposhtëm (në shqip):
„Ju referohem artikujve të mi të 3 nëntorit 2021 dhe të 8 nëntorit 2021. Nuk ka qenë qëllimi im t‘i ofendoj ose t‘ju mvesh Kurteshëve, përkatësisht Sami dhe Ismajl Kurteshit, pa të drejtë gjëra. Kërkoj falje për këto deklarime dhe pranoj, se ato nuk kanë qenë të vërteta. Në të ardhmen nuk do të bëj deklarime të tilla. Në këtë vazhdë, unë kam shpallur gatishmërinë t‘ia dhuroj CHF 500.- një organizate humanitare në Kosovë.“
• deklaron se nuk e fshin shkrimin e mësipërm për të paktën tre muaj pas publikimit;
• premton se do të respektojë të drejtat e të dëmtuarve Ismajl Kurteshi dhe Sami Kurteshi dhe nuk do t’i dëmtojë ata në të ardhmen;
• deklaron se do t’ia paguajë një shumë prej CHF 500.00 një organizate jofitimprurëse (në Kosovë) deri më 15 qershor 2022 si kompensim; etj.
Natyrisht, pas veprimit efikas, efektiv, efiçient dhe vendimit të organeve të drejtësisë zvicerane, me këshillën dhe rekomandimin e avokatit mbrojtës, unë dhe Ismajl Kurteshi kemi hequr dorë nga ndjekja e mëtutjeshme penale.