Maqedonia e Veriut vendosi të kufizojë eksportin e mallrave të caktuara ushqimore. Vendimi i Qeverisë maqedonase përfshin eksportin e grurit, elbit, misrit, miellit, farave të lulediellit, si dhe vajrave.

Marketing

“Vendimi është marrë si masë paraprake për të shmangur veprimet spekulative të tregtarëve dhe prodhuesve dhe për të mbrojtur prodhimin vendor, tregun vendor dhe qytetarët”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Jozyrtaisht vendimi ndërlidhet me njoftimet se sasi të mëdha të grurit janë eksportuar në Greqi, ndërsa në Kosovë sasi të mëdha të vajit vendor, të llojit Briliant. Nuk jepen të dhëna se për çfarë sasie bëhet fjalë. Çmimi i vajit në Maqedoninë e Veriut arrin në 1.80 euro.

Nga Qeveria kanë thënë se vendimi për kufizimin e eksportit është marrë edhe si përgjigje reciproke ndaj masave të ngjashme të marra nga disa vende të rajonit.

Serbia ka njoftuar se ka ndaluar eksportin e grupit dhe miellit për vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e cila ishte në pritje të importit të rreth 50.000 tonëve grurë dhe miell.

Qeveria ka bërë të ditur se Maqedonia e Veriut ka sasi të mjaftueshme të grurit dhe misrit. Vetëm në mullinjtë privatë besohet të ketë 50.000 tonë grurë, mbi 10.000 tonë misër dhe mbi 8.000 tonë elb.

Sipas Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar rreth 3.800 tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Maqedonia e Veriut nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Serbia, Kroacia, Austria, Hungaria.

Më 10 mars, edhe në Serbi ka hyrë në fuqi vendimi për pezullimin e eksportit të grurit, miellit, misrit dhe vajit.

Ditëve të fundit, një litër vaj në Kosovë është shitur deri 3.49 euro. Çmimet janë në trend të rritjes për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë, naftës dhe gazit. /albora.ch/

Marketing