Pralajmërimi i kreut të ekzekutivit, Albin Kurti lidhur me ligjin e ri për Diasporën, po konsiderohet jetik për të mirëmbajtur lidhjet me mërgimtarët.

Marketing

Ky ligj nga njohësit e fushës po konsiderohet i qëlluar, ndonëse e shohin si të vonuar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu tha se ligji duhet të jetë i orientuar për tërheqjen e kapitalit të diasporës për investime dhe jo që kjo pjesë e shoqërisë të shihet vetëm si ndihmë në aspektin financiar.

“Unë besoj që është një ide e qëlluar, paksa e vonuar sepse një ligj i tillë ka pas nevojë të jetë i miratuar para sa e sa viteve në Parlamentin e Kosovës. Duke pasur parasysh potencialin dhe kontributin që jep diaspora për Kosovën, besoj është një ligj me rëndësi multidimensionale, është i rëndësishëm definitivisht në aspektin ekonomik, social, integrues po mbi të gjitha në aspektin psikologjik sepse diaspora e meriton një tretman dhe një respekt për atë çka ka bërë për Kosovën”.

Përderisa, Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”, thotë se kanë sugjeruar që ligji i ri ta bëjë më të qartë përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës karshi diasporës.

“Projektligji i ri për diasporën dhe mërgatën është vazhdimësi e projektligjit të kaluar. Për dallim nga projektligji i kaluar ne kemi sugjeruar dhe kërkojmë gjithashtu që ky projektligj ta bëjë më të qartë përgjegjësinë e institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat janë të mandatuara për të punuar dhe për të angazhuar diasporën dhe gjithashtu për të mirëmbajtur lidhjet me të gjithë bashkatdhetarët tanë të cilët duan të jenë në një mënyrë ose tjetër të lidhur me Kosovën”.

Sa i përket përfaqësimit të mërgimtarëve në institucione ai thotë se kjo ka të bëjë me vullnetin e partive politike, duke shtuar se ata duhet të jenë pjesë vendimmarrëse e zhvillimit dhe proceseve në Kosovës.

“Është koha kur duhet të ketë një dialog të veçantë, në rend të parë iniciativa duhet të vijë nga vetë Qeveria, duhet të ketë debate të shumta ku në këto debate do të jenë ekspert të diasporës të sektorëve të ndryshme, por kuptohet edhe asociacionet e  biznesit dhe dikasteret që kanë të bëjnë me ekonomi dhe diplomaci ekonomike. Prandaj besoj që duhet të gjenerojnë në vete një kulturë të debatit, një transparencë e vetëm në këtë mënyrë bashkërisht ta draftojmë një dokument, i cili nuk do të jetë vetëm një dekor për zyrat e Qeverisë po do të jetë në funksion të zhvillimit, të avancimit dhe të përafrimit të diasporës me Kosovën”, përfundoi ai./albora.ch/

Marketing