Investitori gjerman në Kosovë që merret me prodhimin e produkteve të plastikës dhe cila ka punësuar 20 punëtorë, si pasojë e problemeve me energji elektrike me shumë vështirësi është duke i furnizuar me produkte kompanitë me të cilat ka kontrata.

Marketing

“Po bëhen 20 vjet dhe i njëjti problem me rrymë. Nëse ndalet dy orë jemi në rregull, por kur të vijë rryma, të jetë stabile. Me tensionin e ulët, siç po vjen, nuk mund të ndizet asnjë makinë”, ka thënë Fitim Hoti menaxher i kompanisë “Heinze”, për Radio Evropa e Lirë, përcjellë albora.ch.

Sipas Hotit, ata kanë kërkuar ndihmë nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), por nuk u është bërë zgjidhje.

Kjo situatë me energjinë elektrike në Kosovë, duket të mos jetë fare e mirë për një investitor gjerman, i cili, siç thotë Hoti, edhe mund të largohet.

“Është rrezik që mund të ikin dhe të shkojnë në Maqedoni të Veriut, atje është stabiliteti më i madh”, thotë Hoti.

Me problemin e ngjashëm, siç është aktualisht gjendja e furnizimit me energji elektrike, kompania “Heinze” ishte përballur edhe në vitin 2020.

“Me shumë vështirësi kemi arritur ta bënim një eksport te një kompani, me të cilën kishim kontratë për furnizim me produktet të plastikës”, tregon ai.

Problemet me energji elektrike kanë goditur edhe kompaninë “Frutex” në Suharekë.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë, ka potencuar se i janë shkaktuar mijëra euro dëme në makineri për shkak të rrymës.

“Ne për katër ditë pothuajse për asnjë moment nuk kemi pasur energji elektrike. Edhe kur ka pasur energji elektrike, ka qenë e tensionit të ulët dhe ne është dashur të vazhdojmë punën me gjeneratorë. Kjo shkakton probleme në linjat e prodhimit”, thotë Palushi.

Për dëmet që i janë krijuar kompanisë, Shaqir Palushi është në përgatitje e sipër të një padie për KEDS.

“Ne jemi parapagues të rregullt të rrymës dhe një furnitor kur nuk e përmbush kontratën, duhet të përballet edhe me padi, pasi që edhe ne kemi obligime ndaj blerësve tanë”, thotë ai.

KEDS dhe KESCO në bazë të licencës dhe kontratave me konsumatorët, ka për obligim furnizimin e pandërprerë me energji elektrike, pavarësisht sa janë kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). /albora.ch/

Marketing