Udhëtarët të cilët nuk kishin mundur t’i shfrytëzojnë ofertat e udhëtimeve si pasojë e vendosjes së kufizimeve për të luftuar pandeminë COVID-19, mund të kenë të drejtën për të paktën një rimbursim të pjesshëm, tha të enjten gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian.

Marketing

Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi për këtë pasi u pyet për mendimin e saj nga një gjykatë në Gjermani.

Gjykata e Mynihut po shqyrton rastin e dy personave që blenë një paketë pushimi dy javore për ishullin spanjoll të Gran Canaria duke filluar nga 13 mars 2020, pikërisht kur pandemia goditi Evropën.

Ata po kërkojnë një rimbursim prej 70 për qind të çmimit për shkak të kufizimeve që u vendosën atje dy ditë më vonë dhe kthimit të tyre të hershëm nga udhëtimi

Kur kufizimet u vendosën më 15 mars, plazhet u mbyllën dhe u vendos një orar për lëvizje, paditësit u lejuan të dilnin nga dhoma e tyre e hotelit vetëm për të ngrënë, tha gjykata e BE-së.

Më 18 mars atyre u thanë që duhet të përgatiteshin të largoheshin në çdo moment dhe dy ditë më pas duhej të ktheheshin në Gjermani.

Kompania turistike refuzoi rimbursimin e kërkuar me arsyetimin se nuk mund të mbahej përgjegjëse për një “rrezik të përgjithshëm të jetës”.

Gjykata e BE-së konstatoi se “një udhëtar ka të drejtë për një ulje të çmimit të paketës së tij kur mungesa e shërbimeve të udhëtimit të përfshira në paketë është për shkak të kufizimeve që janë vendosur në destinacionin e udhëtimit për të luftuar përhapjen e një sëmundjeje infektive, siç është COVID-19.”

Ajo tha se nuk ka rëndësi nëse kufizime të ngjashme vendosen në vendin e banimit të udhëtarit apo në vende të tjera.

Gjykata gjermane tani do të duhet të vlerësojë nëse kufizimet në rastin konkret në fjalë mund të përbëjnë “dështim për të kryer detyrimet e kontratës nga organizatori i udhëtimit”.

Së fundmi është regjistruar një rritje e madhe e rasteve të reja me koronavirus që shkakton sëmundjen COVID-19.

Marketing