Punësimi, pagë e lartë, dinjiteti në jetë e punë, janë vetëm disa nga arsyet pse të rinjët preferojnë të largohen nga vendi

Marketing

Kosova e as Shqipëria nuk kanë të dhëna të sakta se sa është numri i qytetareve që janë larguar nga vendi apo presin të largohen. Aplikimet për vize pune në ambasadat përkatëse vetëm sa shkon e rritet e bashkë më to edhe kërkesat për largim nga Kosova kryesisht nga të rinjtë.

Gjermania është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës, kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave të punës. Atje është e përqendruar pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës dhe aplikimi për viza tek kjo ambasadë kalon limitet.

Pothuajse në gjendje të njëjtë me kërkesat për largim nga vendi është edhe Shqipëria për çka se fundmi u dha “alarm” se truri i vendit po ikën në migrim.

Shqipëria dhe kërkesat për Gjermani

Një rast që ka bërë pikërisht të njëjtën gjë vite më parë është doktori nga Shqipëria Rajmond Hazizaj i cili për një ngritje në fushën e Mjekësisë ai kishte vendos të ikte në Gjermani për çka është shumë i lumtur më arritjen që ai ka bërë profesionalisht.

“Jam Dr.Rajmond Hazizaj, që prej 5 vitesh jam larguar nga Shqipëria në shtetin e Gjermanisë.

Si çdo fillim ka vështirësitë e veta por që tashmë kanë kaluar dhe jam shumë i kënaqur me vendin e punës ku aktualisht punoj, si dhe me kolegët që më rrethojnë. Aktualisht punoj ne rrjetin e spitalit Diakonissenkrankenhaus. Arsyeja e largimit nga Shqipëria ka qene për te kryer një specializim të strukturuar dhe për te qene i aktualizuar me mekanizmat dhe teknologjinë e fundit. Gjithashtu këtu janë mundësit për tu rritur profesionalisht ne çdo aspekt” ka thënë Hazizaj për Albora.ch.

Sipas tij, Struktura e specializimit në Gjermani në krahasim më Shqipërinë është shumë motivuese dhe profesionale.

“Në kohen që unë jam larguar nga Shqipëria vendet për specializim kanë qenë shumë të kufizuara dhe pjesëmarrja ishte e pa mundur. Sigurisht qe nder arsyet tjera është dhe pagesa, ku fatkeqësisht është diferencë shumë e madhe me vendin tim. Uroj dhe dëshiroj qe dhe ne Shqipëri te vije kjo dite dhe te mos jetë shume e largët” ka thënë doktori nga Shqipëria Rajmond Hazizaj i cili tashmë jeton dhe vepron në Gjermani.

10 orë punë

Kërkesën për shtetin e Gjermanisë tash e tre herë e ka bërë edhe Selmon Gustrunanaj nga Istogu i cili 10 vitet e fundit ka punuar në Gastronomi në më shumë se 10 orë në ditë dhe se pagesa ka qenë minimale.

Ai përveç që është refuzuar nga Ambasada e Gjermanisë problem i kishte dal edhe më agjensionin Punesu.eu i cili në marrëveshje më ta kishte bërë që ata ti sigurojnë kontratë punë dhe jetesë në Gjermani por një gjë e tillë nuk doli.

“ Mu më është refuzuar dy herë kërkesa për vizë punë dhe mendoj që herën e fundit ka qenë arsyeja që agjensioni të i cili kam bërë pagesë doli të jetë më shumë fiktiv se sa mundësi punësimi.

Unë punoj nga 10 orë në ditë dhe paguhem më një pagë prej 350 euro për çka jam i detyruar që prap të provoj për vizë pune në Gjermani sepse nuk e shoh mundësinë për jetë këtu” ka thënë Gusturanaj për të cilin qëllimi i vetëm është të largohet nga Kosova që më pas ta ketë mundësinë ti merr edhe bashkëshorten dhe fëmijët.

Ndikimi i emigrimit të të rinjve nga Kosova tashmë po vërehet në sektorë të ndryshëm në vend.

E ndikimet shumë shtresore kanë prekur edhe institucionet akademike e posaçërisht Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është bartësi më i madh i arsimit të lartë.

Në dhjetë vitet e fundit ka rënë dukshëm interesimi për të studiuar në UP, ndonëse ky Universitet vazhdimisht është konsideruar si i mbingarkuar nga numri i studentëve.

Gjithëçka gati për Gjermani

Almira Geci e sapo diplomuar tashmë ka bërë gjithçka gati dhe pret vetëm miratimin nga Ambasada e Gjermanisë që ajo të filloj një jetë të re në Evropë. Synimi i saj ishte të shkollohej dhe më pas edhe të punësohet në vend por kjo si duket për të ishte e pa mundur. Ajo thotë se ka qenë studente e dalluar më natë mesatare prej 9.62 dhe asnjëherë nuk ka arritur të punësohej ani pse zotëron njohjen e dy gjuhëve të huaja.

“Pas diplomimit ka pritur gati dy vite që të punësohem por kjo ka mbet veç ëndërr, sepse as pas studimeve master nuk kam gjetur një vend pune. Kam qenë studente e dalluar dhe gjithmonë ka thurur ëndrra për vetën dhe jetën këtu por e kam parë se dëshpërimi im i kalon këto. Tashmë jam në pritje të vizës gjermane për të filluar jetën në Gjermani dhe shpresoj që Kosova të hap sytë e të bëjë diçka për rininë, për punëtorët, për gratë që largohen nga puna pa të drejtë e për gjithë të tjerët që vendin e tyre po duan ta shohin për herë të fundit” ka thënë Almira një 26 vjeçare që nuk pranon të fotografohet por që është e lumtur që po largohet nga Kosova.

76 për qind e të rinjve duan të largohen

Sipas të dhënave të fundit në dispozicion, 76 për qind e të rinjve të moshës 16 deri në 25 vjeç dhe 53 për qind e atyre të moshës ndërmjet 26 dhe 60 vjeç dëshirojnë të largohen nga Kosova.

Ambasada gjermane në Prishtinë ka pranuar 199,783 aplikime për viza në katër muajt e fundit. 11 për qind e popullsisë së Kosovës ka aplikuar për vizë gjermane nga fillimi i dhjetorit të kaluar deri në fund të marsit. Në mars, ambasada ka pranuar 48,044 aplikime, ndërsa në shkurt vetëm 2,000 më pak. Ambasada gjermane lëshon 500 deri në 800 viza në muaj, ose rreth 5500 në vit.

Ambasadat e vendeve të tjera në Prishtinë pranojnë shumë më pak aplikime. Nga nëntori deri në janar të vitit të kaluar për vizë zvicerane kanë aplikuar 8737 qytetarë të Kosovës, ndërsa në ambasadën kroate nga nëntori deri në mars janë pranuar 1944 aplikime.

Sipas Agjencisë evropiane të Statistikave – Eurostat, Kosova është vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë. Të punësuarit e moshës nën 35 vjeç paguhen 130 euro në muaj, ndërsa ata mbi 35 vjeç paguhen 170 euro në muaj.

Si destinacione të emigrantëve nga Kosova janë identifikuar: Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.

Ndryshe, Kosova ka një popullsi prej rreth 1.8 milionë banorë dhe është një nga vendet më pak të zhvilluara në Ballkanin Perëndimor.

A. Jahaj

Marketing