Njëzetë e pesë persona janë arrestuar në bastisje në të gjithë Gjermaninë, të dyshuar për komplot për ta rrëzuar qeverinë.

Marketing

Raportet gjermane thonë se grupi i figurave të ekstremit të djathtë dhe ish-ushtarak planifikonte të sulmonte ndërtesën e parlamentit, Reichstag, dhe ta merrte pushtetin.

Një gjerman i referuar si një princ i quajtur Heinrich XIII, dyshohet se ka qenë kryesori në planet e tyre.

Sipas prokurorëve federalë, ai është një nga dy drejtuesit e dyshuar në mesin e të arrestuarve në 11 shtete gjermane.

Komplotuesit thuhet se përfshijnë anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger [Qytetarët e Reich], e cila ka qenë prej kohësh në vështrimin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori konspirative raciste. Ata gjithashtu refuzojnë ta njohin shtetin modern gjerman.

Rreth 50 burra dhe gra dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që thuhet se kanë komplotuar për të përmbysur republikën dhe për ta zëvendësuar atë me një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së 1871 – një perandori e quajtur Reich i Dytë.

“Ne nuk kemi ende një emër për këtë grup”, tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorit federal.

Bastisjet u zhvilluan në pjesën më të madhe të vendit dhe dy persona u arrestuan në Austri dhe Itali, njoftoi agjencia gjermane e lajmeve DPA. Të arrestuarit do të merreshin në pyetje më vonë gjatë ditës.

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann shkroi në Twitter se një operacion i madh anti-terror po ndodhte dhe se ishte planifikuar një sulm i dyshuar i armatosur ndaj organeve kushtetuese.

Prokurori federal deklaroi se grupi kishte komplotuar një grusht shteti të dhunshëm që nga nëntori i vitit 2021.

Ish-anëtarët e ushtrisë ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e komplotit të grushtit të shtetit, thanë raportet. Ata përfshinin ish-ushtarë elitë nga njësitë speciale.

Komplotuesit kishin krijuar tashmë plane për të sunduar Gjermaninë, tha zyra e prokurorit federal. Anëtarët e kuptuan se mund t’i realizonin qëllimet e tyre vetëm me “mjete ushtarake dhe dhunë kundër përfaqësuesve të shtetit” dhe kjo përfshinte kryerjen e vrasjeve.

Transmetuesi publik ZDF raportoi se një ish-deputet i ekstremit të djathtë të dhomës së ulët të parlamentit, Bundestag, ishte gjithashtu pjesë e komplotit dhe ishte vendosur për t’u instaluar si ministër i drejtësisë i grupit, me princin Heinrich si udhëheqës.

Marketing