Profesori i diplomacisë Valon Murtezaj, tha se arsye se pse Franca ka frikë të japë “dritën jeshile” për liberalizimin e vizave për Kosovën është se kjo ndoshta mund të keqpërdoret nga një numër i caktuar i qytetarëve duke kërkuar azil qoftë në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër të Bashkimit Evropian.

Marketing

Murtezaj theksoi se procesi i liberalizmit të vizave nuk ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Unë këtu mund të them që droja franceze por edhe i vendeve të tjera është që nëse ndodh liberalizimi i vizave, a do të keqpërdoret në rrethana të caktuara nga një numër i caktuar i qytetarëve për arsye të ndryshme për të kërkuar azil në Francë apo në vendet e Bashkimit Evropian”, tha Murtezaj në Klan Kosova.

“Jo vetëm Franca por as vendet e tjera nuk ka evidencë që e kanë ndërlidhur procesin e dialogut me çështjen e vizave. Është qasje totalisht e gabuar dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Qeveria e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos i ndërlidhin gjërat me njëra-tjetrën. Procesi i liberalizimi të vizave është teknik”.

Franca edhe zyrtarisht nga 1 janari i 2022-ës e ka marrë Presidencën e Bashkimit Evropian të cilën do ta udhëheq deri në muajin qershor.

Ndryshe edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch për AP kishte treguar arsyen se pse Holanda po heziton ta përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij pretekstet se institucionet e Kosovës nuk kanë luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk janë arsyet reale se pse Holanda nuk është pro lëvizjes së lirë të kosovarëve në Bashkimin Evropian, por nga mundësia e keqpërdorimit të vizave nga vetë ata.

“Si ambasador në pension, jap mendimin tim personal, nuk flas më në emër të qeverisë holandeze, prandaj mendojë se arsyeja kryesore e hezitimit për dhënien e liberalizimit të vizave është frika se ajo do të keqpërdoret, dhe se shumë njerëz do të vijnë për të qëndruar ose ilegalisht ose si azil politik në Holandë”, kishte thënë Bosch. /albora.ch/

Marketing