Ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se është takuar me Rudolf Scharping, ish-ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë nga SPD, shkruan albora.ch.

Marketing

“Gjatë takimit mjaft të frytshëm me ministrin Scharping u bisedua për thellimin dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Një bisedë mbresëlënëse, i cili shumë shpejtë do të vizitojë vendin tonë pas më shumë se 20 viteve”, ka shkruar Ajeti.

“Në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes, ai pati treguar një guxim të jashtëzakonshëm gjatë luftës së Kosovës, duke i prezantuar botës ekzistencën e “Operacionit Patkoi”, planin e koduar ushtarak dhe strategjik të shtetit serb për spastrim etnik dhe zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët”.

Sipas tij, politikani gjerman me bindje socialdemokrate ishte kundër luftës, por përballë katastrofave të tilla humanitare si ajo në Kosovë, ai tregoi vendosmëri të paparë për t`i dhënë fund masakrave të forcave serbe kundër shqiptarëve”.

“Libri i tij “Ëir dürfen nicht ëegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (Nuk guxojmë të shikojmë mënjanë: Lufta e Kosovës dhe Evropa), i cili do të shohë dritën e botimit në gjuhën shqipe, nuk është një ditar i zakonshëm, por një testament faktesh që duhet lexuar nga gjithsecila dhe gjithsecili”.

“Ishte vërtetë emocion i veçantë, t`i dorëzoja një portret nga vizita e tij në Krushë të Madhe pas çlirimit të Kosovës. Në këtë portret shihet më së miri ana njerëzore e tij, duke përqafuar dhe ngushëlluar 10-vjeçaren Valbona Duraku, e cila jetonte vetëm me nënën e saj, ngaqë meshkujt dhe burrat e fshatit të shkatërruar krejtësisht tashmë kishin pësuar fatin tragjik nga regjimi i Beogradit”.

Ajeti ka theksuar se “ky portret është punuar nga duart e artistit kosovar nё Berlin, Berat Hasani”.

“Përjetësisht mirënjohës për qëndrimin parimor dhe konsistent të ministrit Scharping dhe të Gjermanisë për çlirimin e Kosovës. Nuk jemi vetëm ne që themi “mos harro” për krimet serbe, por edhe miqtë tanë kur bindshëm thonë “nuk guxojmë të harrojmë”. /albora.ch/

Marketing