“8 vjet pa familje, pa atdhe, për familje e për atdhe.”

Marketing

Emigrimi i të rinjve kosovarë është një nga dukuritë më shqetësuese vitet e fundit.

Rritja drastike e këtij fenomeni është duke u marrë me shqetësim madje edhe nga institucionet shtetërore.

Të rinj që kërkojnë një jetë me më shumë perspektivë në Perëndim, kanë vendosur të largohen prej Kosovës qysh një dekadë më parë.

Mes mijëra kosovarësh që vendosën të braktisin vendin në vitin 2013 ishte edhe Roki Llugaliu.

Llugaliu vendosi të lërë Kosovën në moshën më të ndijshme, kur ishte vetëm 15 vjeç.

I lindur në Podujevë dhe i kalitur në kampet azilante të Hungarisë, Llugaliu ka rrëfyer eksperiencën më të rëndë për të.

“Unë kam dalë në moshë të re, moshën 15 vjeçare, në atë kohë kur shumica e shqiptarëve kanë emigru ilegalisht. Nisja ka qenë me autobusa nga këtu deri në Serbi. Nga Serbia kemi vazhduar ilegalisht në kalim të kufirit, në mot të ftohtë, në janar. Ka qenë e vështirë, isha i mërzitur, vetëm dhe fëmijë” ka thënë Llugaliu, i cili kishte njoftuar me vendosmëri familjen se do të largohej nga Kosova, bashkë me shokët e tij.

Ai thotë se “tmerri i vërtetë” për të filloi në momentin që kaloi kufirin serbo-hungarez, ku u arrestua nga policia dhe u dërgua në një garazhë ku mbaheshin shumë emigrantë.

Nga aty doli pas dy ditësh, për t’u transportuar me autobus në një burg, ku u takua me shumë shqiptarë migrues.

“Në korridorin ku na lanë, për shkak se ka pasur shumë persona, kanë qenë afro 200 shqiptarë. Ekstrem shumë shqiptarë ka pasë. Asnjë se dinte çka po bëhej, çdonjëri me frikë. Aty pranë kish qenë një dhomë e veçantë ku ish të burgosurit pinin cigare. Kur u futem në atë dhomë pamë shkrime shqip, pamë shqiponjën, simbolet tona dhe u çliruam… e ndjemë vetën shumë më të sigurte kur pamë që jemi dikund ku ka pasur bashkëvendas tonë që kanë kalu këtë rrugë” deklaroi Llugaliu.

Ai nuk përmendi të jetë sulmuar fizikisht gjatë këtij rrugëtimi, që pas shumë mundimesh e destinoi atë në Gjermani.

Pavarësisht se autoritetet hungareze i kishin paralajmëruar që të lajmërohen në kampin e azilantëve, Llugaliu bashkë me miqtë e tij vendosen që të dëgjojnë të tjerët dhe të rrezikojnë, duke marrë trenin nga Budapesti për në Gjermani.

Një nga momentet më të paharruara për të ka qenë pikërisht arritja në Budapest, pasi u lirua nga burgu.

“Në Budapest shkuam me taksi. Mbërritëm dikur rreth orës 4 të mëngjesit, dhe kur dolëm nga taksi pamë shqiptarë të shtrirë nëpër tokë, të maltretuar, të vuajtur. Na u afruan disa të njohur e na pyetën “Përse keni ardhë, nuk është dashur të vini në Hungari”.”

Pasi arriti në Gjermani, Llugaliu thotë se pati fatin që atje kishte të afërm të cilët e strehuan dhe filloi punën.

Roki Llugaliu u kthye në Kosovë për herë të parë pas 8 vitësh, pasi mori të drejtën e udhëtimit, por thotë se asnjëherë nuk do të bënte të njëjtën rrugë.

“8 vjet pa familje, pa atdhe, për familje e për atdhe… Krejt jemi “kurban” të familjeve tona, prej qejfit nuk ka dalë asnjë, me e lanë familjen, atdheun, por po i shohim edhe vet kushtet dhe jetën në Kosovë… Prej atje jemi mundu, me bo çdo send për atdhe, për Kosovë e Shqipëri. Çdo mund, çdo send, e bojmë me mendim dhe me shpirt për këtë vend dhe për familjen tonë” u shpreh ai.

Sipas Agjencisë së Statikstikave të Kosovës (ASK), po të njëjtin vit kur Roki u largua nga Kosova, gjithsej 20246 emigrantë lanë Kosovën.

Kjo shifër, fatkeqësisht, është dyfishuar deri në vitin 2021.

“Emigrimi ndërkombëtar: numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë” deklaron ASK.

Një gjë e tillë, sipas sociologut Labinot Kunushevci, po ndodhë kryesisht për shkak të karakteristikave ekonomike, pakënaqësisë dhe frustrimit me situatën në vend.

“Pakënaqësia dhe frustrimi – dëshprimi i madh me situatën aspak premtuese ekonomike, mungesa e kushteve dhe trajtimit të barabartë në punë, mungesa e mbështetjes institucionale, sistemi dhe atmosfera e brishtë brenda shoqërisë, komunitetit, mediave dhe institucioneve, kurreshtja për të provuar një mënyrë të re jetese, dëshira për integrim etj., ndikojnë që migrimi të shihet si zgjidhje” ka thënë Kunushevci për Indeksonline.

Ai mendon se pasoja të rënda nga dukuria e migrimit sjell fakti i ikjes së madhe të të rinjve, sidomos ekspertëve (trurit), që krijon një debalancë profesionale.

Por, a do të ketë edhe më shumë emigrantë, pas liberalizimit të vizave?

Kunushevci mendon se lëvizje të madhe do të ketë edhe në rast të liberalizimit të vizave.

“Në anën tjetër, liberalizimi i mundësive mund të shkaktojë një lëvizje të madhe në Evropë, por të kufizuar nga ligjet dhe politikat evropiane të migracionit. Dalja e tyre është e domosdoshme në një botë të qytetëruar, në një botë të konkurrencës dhe tregut të hapur të punës, në një shoqëri që ka shënuar progres dhe storje të suksesit, për t’u njoftuar me mundësitë e ardhshme potenciale të integrimit” përfundoi Kunushevci

Marketing