Erijon Shala nga Istogu synon të largohet drejt Gjermanisë.

Marketing

I shoqëruar nga prindërit e tij, 19-vjeçari, me profesion automekanik, aplikoi për vizë pune në Ambasadën gjermane në Prishtinë, më 15 shkurt.

Teksa foli për Radion Evropa e Lirë, ai tha se nuk mund të punojë më për 15 euro në ditë.

“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.

Në dokumentet që kishte mbledhur për të aplikuar për vizë, kishte edhe një kontratë pune. Atë tha se ia ka siguruar një familjar i tij, që udhëheq një kompani për rregullimin e makinave, në qytetin Hajllbron të Gjermanisë, transmeton albora.ch.

Prindërit e tij, edhe pse të brengosur për të, thanë se kjo është e vetmja mënyrë që Erijoni të bëjë një jetë më të mirë dhe t’i ndihmojë ata dhe vëllain e tij.

Gjermania është shteti më i popullarizuar për qytetarët e Kosovës, kur bëhet fjalë për lëshimin e vizave të punës. Atje është e përqendruar pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, vetëm në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti, mbi 100,000 qytetarë kanë aplikuar për vizë pune në këtë ambasadë./albora.ch/

Marketing