Autoritetet belge kanë bërë të mundur arrestimin e një bande shqiptaro-bullgare të trafikut të drogës që operonte në Belgjikë.

Marketing

Mësohet se si pasojë e këtij operacioni kanë rënë në pranga 11 persona, ndërsa janë zhvilluar një sërë kontrollesh shtëpish në vende të ndryshme të Belgjikës, çoi në sekuestrimin e më shumë se pesëdhjetë kilogramë kokainë dhe heroinë, si dhe 100,000 euro para në dorë.

“Në fund të vitit 2021, zyra e prokurorit publik Halle-Vilvoorde hapi një dosje në bazë të komunikimeve të deshifruara të SKY ECC kundër një organizate kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës”, thotë zëdhënësi Gilles Blondeau, citojnë mediat belge.

Banda në fjalë vepronte nga Meise, ndërkohë që përdorte automjete të pajisura me ndarje të fshehura për të transportuar drogën që vinte nga Holanda, duke e shpërndarë në Belgjikë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimi çoi në përgjimin e dy ngarkesave droge të premten, ku disa kamionë që transportonin drogë u ndaluan në Aalst dhe Ypres. Në total, policia sekuestroi dyzet kilogramë kokainë dhe trembëdhjetë kilogramë heroinë.

Fill pas këtij aksioni hetuesit bastisën dymbëdhjetë adresa në Meise, Grimbergen, Diegem, Wezembeek-Oppem, Sint-Niklaas, Evergem, Aalst, Evere, Sint-Gillis, Auderghem, Sint-Pieters-Woluwe dhe Schaarbeek.

Me arrestimin e 11 personave, u sekuestruan dhe 12 armë zjarri, si dhe 100 mijë euro para të gatshme. Policia Gjyqësore Federale sekuestroi edhe disa paleta me produkte duhani, disa kamionë gjysmërimorkio dhe disa furgona.

Marketing