Video të Pejës e Mitrovicës në Travel Obscurer

Në faqen në internet të Jonathan Wheelerit, udhëtaritt të pandalshëm, janë shfaqur edhe video për dy qytete të Kosovës, Pejën e Mitrovicën.

Pejën Wheeler e quan qytet “magjepsës” dhe fton të vizitohet:

“Zbuloni historinë e këtij qyteti magjepsës në këmbët e Bjeshkëve të Nemuna së bashku me vendet që e bëjnë atë një destinacion ‘të domosdoshëm’ në Kosovë”.

Në prezantimin e videos, ai bën të ditur se filmi përmban intervista me një numër udhëheqësish të komunitetit që punojnë për të transformuar Pejën dhe rajonin përreth në një qendër kulturore premium dhe destinacion turistik.

Fton të vizitohet Çarshinë e famshme, Patriarkana e Pejës, Muzeu dhe Shkolla e Arteve, së bashku me një shëtitje në kohë dhe një ndalesë të detyrueshme në kafene, shkruan ai, duke shtuar se ka shumë akomodim në Pejë për të gjitha buxhetet, ndërsa vetë ka qëndruar në Stone Bridge Guest House.

Në videon Për Mitrovicën, të bërë në mars të këtij viti, me titull “Me fat”, sipas përshëndetjes së njohur të minatorëve, prezantohet e gjithë historia e këtij qyteti, e lidhur, siç thuhet në prezantim, pazgjidhshëm me minierën e madhe të Trepçës dhe me luftën e Kosovës.

Vëhet në dukje se qyteti është në një proces rindërtimi dhe pajtimi, pasi e gjeti veten të ndarë pas konfliktit, ku shumica e qytetit janë shqiptarë etnikë, por Mitrovica e Veriut mban një popullsi të madhe serbe dhe një administratë tjetër politike.

Videoja paraqet një turne të shkurtër në qytet, ky film ju çon në minierën e famshme si dhe në muzeun e qytetit, ku kuratorja Nora Prekazi prezanton një koleksion që shqyrton rindërtimin e pasluftës dhe reflekton mbi punën që është ende për t’u bërë.

“Ky ishte një udhëtim i shkurtër ditor, por shpresoj të paraqesë një pasqyrë të së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së këtij qyteti magjepsës”, premton Wheeler.