Kosovarët përbëjnë shumicën e shtetasve jashtë Bashkimit Evropian që kanë imigruar në Gjermani gjatë vitit 2020.

Marketing

Gazeta gjermane, Handelsblatt, shkruan se, siç thuhet në Raportin e Migracionit 2020, 58,022 të ashtuquajtur shtetas të vendeve të treta (jashtë BE-së) janë shpërngulur në Gjermani për arsye familjare. Me rreth dhjetë për qind, ata nga Kosova përbënin grupin më të madh të tyre, transmeton Gazeta Express.

Arsyet familjare (ribashkimi me familjen) ishin arsyeja kryesore e qytetarëve jashtë Bashkimit Evropian për t’u zhvendosur në Gjermani në vitin 2020. Kjo bëhet e ditur nga raporti i dalë nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani, i cili do të diskutohet në kabinetin qeveritar këtë të mërkurë dhe është në dispozicion të Agjencisë Gjermane të Shtypit (DPA).

Numri i kërkesave për azil në Gjermani ka vazhduar të bjerë edhe në vitin 2020, edhe për shkak të pandemisë. 102.581 persona aplikuan për azil për herë të parë, pas 142.509 kërkesave fillestare në vitin 2019. Shifrat e azilit për vitin 2021 pritet të publikohen këtë javë.

Sipas raportit të migracionit, 29,725 shtetas jashtë BE-së kanë hyrë në Gjermani me qëllim punësimi, ndërsa 17,083 persona nga vende jo anëtare të BE-së shkruan për të studiuar atje.

Ky raport, paraprakisht u vlerësua pozitivisht nga institucionet gjermane.

“Është pozitive që Republika Federale është vendosur si një destinacion tërheqës, veçanërisht për njerëzit që duan të studiojnë dhe punojnë në këtë vend, si dhe për qytetarët e BE-së”, citohet të ketë thënë ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.

Ajo javën e kaluar njoftoi se refugjatët afganë do të kenë akses në kurset e integrimit.

Në vitin 2020, me 15,7 për qind, Rumania ishte vendi kryesor i origjinës së emigrantëve në Gjermani, si në vitet e mëparshme, e ndjekur nga Polonia (8,7 për qind) dhe Bullgaria (6,1 për qind). Nga viti 2004 deri në vitin 2020, numri i shtetasve rumunë në Gjermani u rrit nga rreth 73,400 në rreth 800,000, thuhet në raport./albora.ch/

Marketing