Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka inkurajuar qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të dalin nesër në zgjedhje.

Marketing

Osmani tha se zgjedhjet janë gurthemeli i secilës demokraci dhe dita e zgjedhjeve është ditë kur zëri i qytetarëve dëgjohet nga të gjithë.

“Zgjedhjet e 23 prillit janë moment i rëndësishëm për ju dhe për të ardhmen e komunave tuaja”, thuhet në deklaratën e Osmanit.

Osmani theksoi se e ka parasysh që shumë prej qytetarëve atje kanë qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të heqin dorë nga zëri dhe fuqia e tyre për ta formësuar të ardhmen e komunave, megjithatë tha se i siguron se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar.

“Ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, ka shtuar ajo.

Marketing