I freskët nga një sezon i hidhur, i cili përfundoi me zhgënjimin e eliminimit në gjysmëfinale të “Europa League” dhe në Premier League me një vend të 7-të, që i dha vetëm kualifikimin për në Ligën e Konferencës së ardhshme, pasi prej kohësh ishte në garë për një vend në Champions League, West Ham është gati për një sesion merkatoje prej lideri.

Marketing

Siç raporton “The Guardian”, skuadra e drejtuar nga David Moyes, që sapo ka blerë mbrojtësin maroken Nayef Aguerd nga Rennes, ka vënë në shënjestër Armando Brojën, talentin e ri shqiptar në pronësi të Chelsea, i kthyer nga një sezon mbresëlënës huazimi te Southampton.

I lindur në vitin 2001, Broja shënoi 6 gola në Premier League me “shenjtorët”, duke kontribuar shumë në mbijetesën e skuadrës së drejtuar nga Ralph Husenhuttl. Shqiptari përsëriti veten në nivele mjaft të mira pas vitit që kaloi te Vitesse, gjithashtu i huazuar nga Chelsea.

Broja është rritur në sektorin e të rinjve të bluve të Londrës që në moshën 9-vjeçare. West Ham ka gati një ofertë prej 30 milionë paund, diçka më pak se 40 milionë euro për sulmuesin e talentuar shqiptar.

Megjithatë, në garën për shërbimet e Brojës, West Ham do të duhet të përballet me konkurrencën e disa klubeve kryesore angleze, duke përfshirë Arsenalin. Po kështu, “ankandit” të shqiptarit i është bashkuar edhe Napoli, klub që e ka ndjekur lojtarin prej disa kohësh dhe e ka identifikuar atë ndër trashëgimtarët e mundshëm të Victor Osimhen, nëse nigeriani largohet nga Italia.

Pengesa e fundit, aspak margjinale, është vullneti i Chelsea, i cili mund të shkojë deri aty sa të kërkojë deri në 40 milionë paund për xhevahirin e tij. Fjala e fundit, megjithatë, do të jetë e Thomas Tuchel, i gatshëm të marrë parasysh edhe mundësinë e mbajtjes së Brojës në ekipin që drejton.

Pasi ta vlerësojë e testojë gjatë gjithë verës, trajneri gjerman mund t’i besojë atij rolin e trashëgimtarit të të larguarit Romelu Lukaku.

Marketing